Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Bulqizës ku një grua shtatzënë në muajin e pestë ka humbur trinjakët. Ngjarja ka ardhur si pasojë e mungesës së mjekëve specialistë dhe të një salle të mirëfilltë operacioni. Gruaja shtatzënë ishte në muajin e pestë të shtatzënisë me trinjak. E. Rexhepi kishte ardhur nga fshati Ostren për në spitalin e Bulqizës ku nuk ka as mjek gjinekolog dhe as sallë operacioni. Ajo ka lindur fëmijën e parë me ndërhyrjen e infermieres dhe ka pasur vështirësi për dy foshnjet e tjera. Një gjinekolog me staf mjekësor eshte nisur nga Tirana me helikopter në drejtim të Bulqizës por me sa duket ka qenë vonë për fëmijët. Sipas burimeve nga spitali, të tre fëmijët nuk kanë mundur të mbijetojnë për shkak të komplikacioneve. Ndërkaq mësohet se gjendja e gruas është e stabilizuar dhe për momentin jashtë rrezikut falë ndërhyrjes së mjekëve. Mësohet se 30-vjeçarja ka ardhur nga fshati Ostren ku i është dashur që të udhëtojë me kalë rreth një orë për tu afruar drejt Bulqizës. Ka qenë një makinë e zonës e cila e ka dërguar për në spitalin e Bulqizës 30 vjeçaren. Sipas dëshmive të para, gruaja ka thënë se ka qenë duke kryer punë bujqësie të rënda deri kur i kanë nisur dhimbjet që është nisur në spital.