Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën shëndetësore Komsi dhe spitalin e Burrelit ku inkurajoi ekipet mjekësore për shërbimin dhe gadishmërinë për t’ju përgjigjur qytetarëve në këto ditë të motit të vështirë. Ajo tha se janë kryer 2900 misione shpëtimi me autoambulancë dhe 8 misione me helikopter në këto ditë të motit të keq. Nga Mati ku vizitoi qendrën shëndetësore Komsi dhe spitalin e e Burrelit, Ministrja garantoi qytetarët se, as furnizimi me medikamentet e nevojshme, as angazhimi i stafeve në qendra shëndetësore, spitale dhe urgjenca nuk do të mungojë në këto ditë të motit të keq. Manastirliu takoi edhe mjekët obstetër-gjinekolog që nëpërmjet sistemit të patronazhimit kanë ardhur nga materniteti “Koço Gliozheni” i Tiranës, në maternitetin e spitalit të Burrelit.