Për më shumë se tre orë qytetarët e thirrur nga opozita kanë protestuar para Kryeministrisë. Kjo protestë u organizua nga Partia Demokratike dhe e mbështetur nga partitë e tjera opozitare.
Kjo protestë kombëtare u zhvillua kundër qeverisë, ku në fokus kryesor ishte kriza ekonomike, por edhe ato që opozita i quan skandale qeveritare. Kjo ishte protesta e dytë kombëtare e zhvilluar nga Partia Demokratike pasi Sali Berisha u rizgjodh kryetar.
ZHVILLIMET KRYESORE NGA PROTESTA
Ora 17:10 – Përfundon protesta e opozitës, turma nis të shpërndahet
Për më shumë se tre orë qytetarët protestuan në sheshin para kryeministrisë. Protesta e organizuar nga opozita drejtoi mesazhe kundër qeverisë. Pas fjalëve të mbajtur nga zyrtarë të partive opozitare dhe aktiviste, qytetarët u përplasën me forcat e rendit dhe pushtuan shkallët e kryeministrisë.
Protestuesit pasi hodhën bojë të kuqe mbi muret e godinës së qeverisë dhe ndezën qirinj kanë nisur të shpërndahen duke njoftuar kështu dhe mbylljen e këtij tubimi.
Ora 18:57 – Tensione në protestën e opozitës, qytetarët çajnë rrethimin e policisë
Qytetarët kanë çarë rrethimin e policisë dhe janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë. Ata janë përplasur me forcat e rendit dhe më pas janë dyndur drejt shkallëve të godinës së qeverisë.
Aty kanë ndezur qirinj për të kujtuar viktimat, Lear Kurti, Ardit Gjoklaj dhe Klodian Rasha, që sipas folësit të protestës janë vrarë nga qeveria. Po ashtu protestuesit kanë hedhur dhe bojë të kuqe në muret e kryeministrisë në shenjë revolte.
Ora 18:43 – Berisha mesazh Ramës nga protesta: Je shndërruar në një ordiner, do të përgjigjemi siç e meriton
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është drejtuar Kryeministrit Edi Rama nga protesta e opozitës. Poshtë dritares së kreut të qeverisë, Berisha tha se Rama tashmë është kthyer në një ordiner dhe populli do t’i përgjigjet me të gjitha mënyrat që e meriton.
“Këto ditë, mediat e Britanisë së Madhe, mediat e Europës shkruajnë se shqiptarët po ikin nga varfëria. Kjo është aparenca. Sot shqiptarët janë njerëzit më të vjedhur të planetit. Nuk ka asnjë vend ku ka njerëz të vjedhur gjer në palcë si në Shqipëri nga qeveritarë të pangopur, që nuk kanë asnjë normë morale, që nuk kanë më ligje, nuk kanë Kushtetutë.
Ne jemi sot në fillim të betejës sonë të madhe. Edi Rama është shndërruar në një ordiner, që kalon nga mikrofoni në mikrofon me gjuhën më të ulët. Keni konstatuar, keni parë, se si në parlament ai flet dhe bën të skuqet, me fjalorin e tij, çdo fëmijë, çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë, çdo prind kudo që është.
Tani, unë do i them këtu para jush: për atë gjuhë të jesh i sigurt se mund të përgjigjemi ty me të gjitha mënyrat që meriton, por të komunikoj sonte këtu vendimin e marrë. Atje së shpejti do vijë gjykatësi sovran, do vijnë këta burra dhe gra”, tha ndër të tjera Berisha.
Ora 18:33 – Berisha: Protesta e sotme, cunam i lirisë së shqiptarëve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur cunam të lirisë protestën e sotme të opozitës. Në fjalën e tij, Berisha tha se qytetarët sot kanë treguar fuqinë e tyre duke marrë pjesë në tubimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.
“Qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Shqiptare dhe shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që jeni sonte, përshëndetjet më vëllazërore nga ky miting i jashtëzakonshëm, nga ky cunam i lirisë së shqiptarëve.
Nga këta qindra-mijëra djem e vajza, burra dhe gra, që po shqyejnë sot me fuqinë e tyre bulevardin dhe rrugët e Tiranës.
Të dashur demokrate dhe demokratë, anëtarë të Partisë së Lirisë dhe partive të tjera opozitare, qytetarë të pa parti, socialistë dhe njerëz të të gjitha bindjeve, të kauzave të drejta, përshëndetje vëllazërore dhe mirënjohje të pakufishme për praninë tuaj në këtë tubim që ju rrezaton më shumë”, tha kreu i Partisë Demokratike.
Ora 18:21 – Metës akuza Ramës nga protesta e opozitës: Tradhtori e ndjek këtë miting të fitores nga charteri luksoz
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbajtur një fjalë në protestën kombëtare të zhvilluar nga opozita.
Meta në fjalën e tij ka hedhur akuza kundër Kryeministrit Edi Rama duke thënë se ‘tradhtori e ndjek këtë miting të fitores nga charteri luksoz dhe shumë shpejt do të jetë para drejtësisë’.
“Në himnin tonë nuk ekziston fjala dorëzim, por ekziston fjala tradhtor, nga lufta veç ai largohet që është lindur tradhtor. Sot tradhtori e ndjek këtë miting të fitores, të lirisë, të triumfit, të demokracisë nga charteri luksoz dhe i paligjshëm dhe shumë shpejt do të jetë para drejtësisë, sipas ligjeve të tij, sipas firmave që ka hedhur vetë ai”, deklaroi Meta.
Më tej kreu i PL ka renditur dhe arsyet pse duhet protestuar, duke hedhur akuza të shumta kundër qeverisë.
“Jeni ju që mbani këtë vend në këmbë me mundin, djersën dhe sakrificat e panumërta që bëni. Jeni ju, që keni të drejtë t’i kërkoni llogari deri në një qeverisë për gjithçka, sepse jeni ju që e mbani qeverinë dhe shtetin me taksat që paguani. Jeni ju që keni të drejtën të largoni Qeverinë kur drejtuesit e saj grabisin, vjedhin dhe shesin atdheun siç bëjnë Rama dhe Rilindja. “Rilindja” që ka vetëm një axhendë: “Vidh – Shpopullo – Shkombëtarizo”
Rilindja në 10 vite bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet. Premtoi qeverisje me duar të pastra dhe transparente dhe sot jemi vendi i parë në Europë për korrupsion dhe i dyti në botë për ryshfet. Shtëpia e tyre e parë nuk është Shqipëria, por offshoret ku kanë fshehur lekët tuaja, nën emrin e tyre dhe të miqve të tyre. Premtoi 300 mijë vende të reja pune, por dëboi mbi 740 mijë shqiptarë. Shqipëria ka numrin më të madh të të burgosurve në vend dhe jashtë vendit. Po kështu, Tirana është kryeqyteti i parë në botë, për numrin e gjobave që u vihen qytetarëve”, tha Meta.
Ora 18:05 – Aktivistja nga Dibra në protestën e opozitës: HEC-i i Skavicës do të vjedhë ujin e Drinit, të mbrojmë vendin tonë
Ferzileta Gjika, qytetarja nga Dibra, u është drejtuar qytetarëve me një fjalë në protestën e opozitës. Gjika, e cila është dhe aktiviste kundër projektit të hidrocentralit të Skavicës iu bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestë për të mbrojtur vendin.
“Vij nga SHBA-të për të protestuar kundër padrejtësive që i bëhen popullit shqiptar. Jam me origjinë nga Dibra, punoj si pedagoge pranë universitetit të Nju Jorkut. jam këtu sot për t’i thënë jo eksodit të shqiptarëve. Unë i them jo korrupsionit dhe krimit dhe projekteve mafioze si ai i Skavicës.
HEC-i i Skavicës do të shkatërrojë peizazhin madhështor të Dibrës, do të vjedhë ujin e Drinit, do të shuajë Dibrën dhe dibranët dhe të gjithë speciet unike në Shqipëri dhe Ballkan. Është një vdekje e lumit Drin. Sot i bëj thirrje qeverisë, ndaloni këto pazare që bëhen me Dibrën. Dibranë e shqiptarë kudo që jeni historia po ju thërret. Sot kemi përgjegjësinë historike ndaj brezave që do vijnë, që Dibrën ta trashëgojmë siç e ka krijuar Zoti”, deklaroi aktivistja që jeton në SHBA.
Ora 17:59 – “Tentova të vras veten!”, sipërmarrësi në protestën e opozitës: Tatimet më vunë 45 mln Lekë gjobë
Në protestën e organizuar sot nga opozita, mori fjalën dhe një sipërmarrës. Nazif Tivari u shpreh se ka tentuar vetëvrasjen, pas gjobës së vënë nga Tatimet. Ai tha se kanë qenë gruaja dhe djali që e kanë shpëtuar, pasi ishte i vendosur që të vriste veten pasi nuk mund të paguante dot gjobën e majme.
“Kam fabrika qumështi sot me zor mbledh 600 litra qumësht, është qumështi pluhur që vjen. Duhet të punojnë fermat e bujqësia jonë.
I them Edi Ramës sot nuk do isha këtu, do isha në botën tjetër se Tatimet për 2 fermerë me 7 lopë me kanë vënë 45 mln lekë gjobë dhe unë doja t’i jepja fund jetës. Jetën e kam nga djali e gruaja ime. Ju them të ecim para”, u shpreh Tivari.
Ora 17:42 – Mesazhi i këngëtarit Renis Gjoka në protestën e opozitës: Mos u dorëzoni shqiptarë
Këngëtari i njohur, Renis Gjoka, cili është dhe autori i këngës himn të Partisë Demokratike ka qenë një prej personave që janë ngjitur në podiumin e protestës së opozitës.
Në fjalën e tij ai dha mesazhin se shqiptarët nuk duhet të dorëzohen. Në protestën e opozitës, ai u shpreh se shumë shqiptarë janë larguar nga vendi, ndërsa mori shembull se edhe miqtë apo të afërmit e tij janë larg atdheut.
“Pjesa më e madhe e miqve të mi janë larg këtij vendi. Edhe fisi im është larg këtij vendi. Ky është realiteti.
Një realitet që nuk mbulohet me propagandë. Me zotin në krah dhe me kokën lart ti japim një mundësi vetes. Mos u dorëzoni shqiptarë”, tha ndër të tjera Renis Gjoka./btvnews.al
Ora 17:23 – Pedagogja Lili Sula: Arsimi i lartë është në rënie të lirë, po rrënohen universitetet
Lili Sula, drejtuese e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, njëherësh dhe pedagoge e letërsisë, ka folur gjatë fjalës së saj në protestën para kryeministrinë në lidhje me sistemin arsimor në vendin tonë.
Ajo u shpreh se arsimi i lartë është në rënie të lirë, duke theksuar se lëvizja universitare kërkon të kthehet liria universitare.
“Lëvizja universitare – stafet ndihmësakademike, administrative e studentore, pa mbështetjen e të cilëve nuk ka kuptim puna e pedagogëve – kërkoi rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor në 0.3 % të PBB, kur aktualisht është 10 herë më i ulët dhe shumë herë më i ulët se vendet e rajonit.
Lëvizja universitare kërkoi t`i rikthehej e drejta e mohuar e indeksimit të pagës – e cila do të rriste mbi 40 % pagat e stafit universitar; por që në shkelje të hapur të ligjit nuk është kryer prej shumë vitesh.
Dhe besoj se cilido e di mirë, se ka një paradoks të thellë mes trajtimit financiar të kërkuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ku paga mesatare shkon 3500 euro dhe pedagogëve të tyre – prej të cilëve diplomohen – me pagë mesatare 2 herë më të ulët se kolegët në Kosovë.
Lëvizja universitare kërkoi dhe kërkon t`i rikthehet autonomia dhe liria akademike universiteteve, që përbëjnë themelet e tyre, kërkoi vëmendje për degët e studimeve albanologjike, që shënojnë identitetin tonë kombëtar, të cilat nga viti në vit po pësojnë rënie të ndjeshme të numrit të studentëve, ndërkohë që një pjesë e tyre po i venë kyçin portave të dijes, thënë ndryshe kërkoi që qeveria të kthente sytë nga bota universitare e ta trajtonte me dinjitet ashtu siç i takon elitës së shoqërisë, por u ndesh me presione, intimidime e shantazhe nga më të shëmtuarat e me një ligjërim kryeministror që s`do t`i lejohej as një personi me arsim të detyruar.
Ndaj është dita t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së qytetarëve, punonjësve, stafeve universitare e studentëve, t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së mbarë shoqërisë sonë nga kjo qeveri dhe kreu i saj, z. Rama”, u shpreh Sula.
Ora 17:05 – “Më kujtoni Azem Hajdarin”, Rudina Hajdari nuk i mban dot lotët në protestë
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka mbajtur një fjalë në protestës e opozitës. Në fjalën e saj Hajdari tha protesta e sotme është e të gjithë qytetarëve.
Teksa pa sheshin që ishte mbushur plot, ish-deputetja është përlotur pasi ka kujtuar babain e saj të ndjerë, Azem Hajdarin.
“Motra dhe vëllezër, unë jam Rudina Hajdari dhe sot të flas këtu është një privilegj i madh në këtë foltore dhe ju që jeni mbledhur këtu më kujtoni Azem Hajdarin, Azemi kishte vetëm një mision që ta kthente Shqipërinë në një vend të begatë.
Ju më mbushni me shpresë dhe energji që të luftoj sa më shumë. Ju përqafoj dhe ju dua shumë të gjithëve”, tha ish-deputetja.
Ora 16:58 – Nënkryetari i PD u drejtohet protestuesve: Së bashku mund ta mundim të keqen
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka mbajtur një fjalë gjatë protestës së opozitës. Boçi në fjalën e tij iu drejtua protestuesve me një mesazh dhe tha se kjo pjesëmarrje masive tregon se Shqipëria ka burra dhe gra të zot.
Nënkryetari i PD u shpreh se shqiptarët së bashku do të përmbysin regjimin që ka rrënuar jetët e shqiptarëve.
“Kjo pjesëmarrje madhështore, ajo që na ka mbledhur në këtë shesh është më e madhe se ne të gjithë së bashku. Se ajo që na ka mbledhur në këtë shesh nuk është thjesht e sotmja, është e ardhmja e familjeve tona, e atdheut tonë, është dashuria për prindërit tanë, për familjet tona, për të afërmit tanë, për jetën, për qytetarët, për atdheun.
Së bashku ta mundim të keqen që na ka pushtuar, së bashku ta përmbysim regjimin që ka rrënuar jetët e shqiptarëve. Dhe së bashku t’i shembim blindat e portave që kanë burgosur lirinë tonë, ëndrrat tona, dhe prapa blindave të burgut të fusim atë që e meriton që fshihet pas dritareve dhe ikjeve jashtë shtetit“, tha ndër të tjera Boçi.
Ora 16:49 – Regjisori Edmond Budina: Të mos shkulemi që këtu, pa shkulur mafien e pushtetit
Regjisori i njohur Edmond Budina, ka qenë i pari që ka mbajtur një fjalë në protestën e opozitës.
Budina në fjalën e tij i është përgjigjur Edi Ramës, i cili pak ditë më parë popullin opozitar i quajtur si të pa fe, pa atdhe dhe pa flamur. Po ashtu ai ka sugjeruar që të mos largohen nga sheshi nëse nuk largohet qeveria.
“Përshëndetje popullit kundërshtues, këtij populli që e ka shembur frikën dhe sot e ka mbushur këtë shesh. Vëllezër ne nuk jemi këtu thjesht për keqqeverisjen e këtij pushteti, por ne jemi për të treguar forcën tonë kundër mafies në pushtet, e cila e ka uzurpuar pushtetin dhe në kupolë të së cilës është mister charteri 22 mln euro. Është mister jahti 2 mld, është mister inceneratori 400 mln. Prandaj ne jemi këtu që ta ndalojmë këtë mafie në pushtet.
Ai disa ditë më parë na tha se ne jemi të pa fe, pa atdhe dhe pa flamur. Ne nuk jemi si ai, sepse ai atdhe ka paranë, ai fe ka drogën, ai flamur ka shitjen e interesave të atdheut dhe ne jemi kundër të gjitha këtyre. Mos mendojë asnjëri se prijësit tanë do të na zbresin nga qielli. Ne duhet të luftojmë të gjithë bashkë, që të themi se luftën tonë do ta vazhdojmë deri në fund.
Ata që thonë se një udhëheqës duhet të zbresë nga qielli i shërbejnë Ramës. Ne jemi këtu për ti thënë jo shpopullimit, jo varfërisë, jo shthurjes së këtij vendi, jo drogës. Ne jemi për ti thënë jo mafies deri në fund. Unë personalisht ju ftoj që protestat tona të mos ndalin, të mos shkulemi që këtu pa e shkulur mafien. Ne të luftojmë dhe të kemi një mosbindje civile”, ka qenë kjo një pjesë e fjalës së Budinës.
Ora 16: 40 – Meta dhe Berisha qëndrojnë krah njëri-tjetrit në protestë

Ora 16:35 – Qytetarët ‘shkojnë’ me gomone në protestë
Një nga simbolikat e protestës së opozitës ditën e sotme para kryeministrisë është edhe një gomone e cila tërhiqet nga disa pjesëmarrës në protestë.
Ata shihen teksa tërheqin gomonen drejt kryeministrisë ku është edhe vendtakimi i protestuesve të thirrur ditën e sotme.
Gomonia është simbol i emigrimit masiv të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe përmes detit duke rrezikuar edhe jetën.
Ora 16:30 – Ilir Meta i bashkohet protestës
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është bashkuar protestës para Kryeministrisë. Meta pritet që të mbajë dhe një fjalë para protestuesve.

Ora 16:27 – Sali Berisha del nga selia e PD dhe i drejtohet Kryeministrisë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga funksionarë të tjerë të kësaj force politike ka dalë nga selia blu dhe i janë drejtuar Kryeministrisë.
Berisha i rrethuar nga qytetarë të ndryshëm do të shkojë në këmbë drejt sheshit ku do të mbahet protesta.
Ora 16:15 – Protesta e opozitës, zbulohen detaje nga organizimi: 20 persona do të hipin në podium
Detaje nga organizimi janë mbajtur të fshehta, sipas informacioneve mësohet se do të jenë rreth 20 persona që do të hipin në podium dhe do t’ju drejtojnë mesazhe shqiptarëve.
Sipas burimeve mësohet se shumica e folësve do të jenë nga shoqëria civile, por nuk do të mungojë një fjalim nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Protesta pritet të zgjasë më shumë se 3 orë, por kjo nuk është e sigurt pasi liderët e opozitës janë shprehur se do jetë populli ai që do të vendosë fatin e tubimit.
Redaksia btvnews.al