Reshje e fundit të dëborës të rëna në zonat malore të Qarkut të Dibrës kanë sjellë ngrica dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Në raportimet nga terreni mësojme se aksi i Rrugës së Arbrit, by-pass-Qafë Murrizë, është bllokuar për shkak të dëborës dhe shembjes së dherave dhe subjekti kontraktor për mirëmbajtjen e rrugës po punon për pastrimin dhe hapjen e tij.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
Po ashtu Policia i bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë. /btvnews.al