E shtunë, 3 Maj, 2025

Raportuesja për Shqipërinë në PE vizitë në Tiranë, takohet me Begajn

Presidenti Bajram Begaj, priti sot raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, me të cilën bisedoi mbi rrugën evropiane dhe sfidat reformuese e zhvilluese të vendit.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, Begaj vlerësoi punën dhe kontributin e eurodeputetes Santos dhe të kolegëve të saj në përgatitjen e raportit të vitit të shkuar për Shqipërinë, duke nënvizuar realizmin e tij dhe frymën mbështetëse për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë ai vlerësoi mbështetjen e rëndësishme që Parlamenti Evropian i ka dhënë procesit të zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar, se “mbështetja e Parlamentit Evropian është e nevojshme për arritjen e objektivave të vëna në kuadër të procesit të negociatave dhe zhvillimit të takimit të dytë ndërqeveritar BE-Shqipëri”.

Duke u ndalur tek zhvillimet e reja gjeopolitike, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Kreu i Shtetit nënvizoi, se Shqipëria do të mbetet gjithmonë një partner shumë i besueshëm në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe do t’i bashkohet gjithmonë vendimeve e qëndrimeve të BE-së në këto drejtime.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat specifike me të cilat po përballet ky rajon dhe vendet e tij, veçanërisht në kushtet e reja gjeopolitike./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit