Joy Ayoko, 22-vjeçarja nga Kenia e cila u dhunua barbarisht në Tiranë ka ndërruar jetë. Lajmi është konfirmuar nga nëna e saj Ruth Abongo.
“Joy ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin Kenniata në Kenia,”- është shprehur ajo. Vajza u largua pas muajsh qëndrimi në spitalin e Traumës drejt vendit të saj.
Në Tiranë vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë. Hetuesit janë rikthyer për të dytën herë dhe kanë kryer eksperiment hetimor në hotelin prej nga dyshohet se pasi u dhunua u hodh nga lartësia Joy. Në dhomën ku qëndronte vajza si dhe në katin e tretë të hotelit janë marrë fije floku dhe janë çuar për ekspertim.
Policia e Prokuroria janë duke pritur edhe përgjigje nga kompanitë celulare pasi iu kanë sjelle tabulatet. Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejshme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë në derën e rezidencës ku jetonte.
Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana.
Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë. Deri më tani s’ka asnjë person në pranga të lidhur me ngjarjen. /btvnews.al