E premte, 15 Gusht, 2025

Xhaçka në Këshillin e Sigurimit në OKB: Lufta në Ukrainë duhet të marrë fund

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka mbajtur një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me rastin e një vjetorit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Në këtë sesion të veçantë të OKB, Xhaçka tha se kjo nuk është një ditë për të festuar, por përkundrazi një ditë pendese. Ajo u bëri thirrje që të ghitha shteteve që të bashkoheshin në një zë dhe të dënonin luftën e Rusisë në Ukrainë.

Një vit më parë, trupat ruse u vërsulën drejt kufijve të Ukrainës dhe raketat ruse mbushën qiellin e saj duke ndezur luftën brutale që vazhdon deri në këtë orë. Ajo që Rusia filloi pikërisht në këtë ditë të vitit të kaluar ka qenë katastrofike për Ukrainën, ka tundur themelet e Evropës, ka formësuar historinë botërore.

Mijëra civilë kanë humbur jetën; miliona fëmijë kanë humbur shkollat e tyre; njerëz të panumërt kanë humbur shtëpitë e tyre; miliona të tjerë janë zhvendosur dhe dëmet në infrastrukturën dhe ekonominë e Ukrainës janë të pamatshme. Miliona në mbarë botën, sidomos më të varfrit dhe shtresat më të prekura, kanë vuajtur shumë për shkak të efekteve globale të luftës, veçanërisht të rritjes së krizës ushqimore.

Gjatë gjithë vitit, bota ka qenë dëshmitare e ngjarjeve, ka verifikuar dhe dokumentuar krime të neveritshme, ekzekutime, përdhunime, plaçkitje, tortura, dëbime të fëmijëve, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga pushtuesi. Ne kemi qenë dëshmitarë të mijëra të dënuarve që u detyruan të mobilizohen dhe u sakrifikuan në radhët e grupit Wagner, një makinë vrasëse me gjurmë famëkeqe dhe në pjesë të tjera të botës.

Dhe më e tmerrshmja nga të gjitha është se një luftë e padrejtë, e paligjshme dhe e paprovokuar kundër një vendi dhe populli të pafajshëm, kryhet nga një anëtar i përhershëm i këtij Këshilli, i cili ka përgjegjësi të veçantë për garantimin e paqes dhe sigurisë, për zbatimin e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Në vend të kësaj, ajo ka zgjedhur të sillet si shtet që nuk njeh rendin ndërkombëtar, duke shkuar kundër ligjit, kundër rregullave, kundër botës.

E vërteta është se pavarësisht gjithçkaje, Ukraina është ende këtu, populli i saj është duke vuajtur, por duke luftuar, duke rezistuar në mbrojtjen e tokës, lirisë, dhe të ardhmes së tyre. Por ata nuk janë vetëm. Lufta e tyre është edhe lufta e kujtdo që aspiron paqen. Dhe unë duhet të ritheksoj dhe pajtohem plotësisht me Ministrin Kuleba se paqe do të thotë drejtësi”, tha ministrja Olta Xhaçka./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit