Sali Berisha ka vijuar turin e prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Sot u ndal në Maliq dhe hodhi akuza kundër qeverisë.
Në fjalën e tij, Berisha tha se qytetarët në 14 Maj do të shpëtojnë nga pushteti i atyre që e përdorin për pasurimin e vet.
“I gjithë ky entuziazëm, kjo frymë është energjia e ndryshimit të shumëpritur. Është fryma e një fitoreje e cila më datë 14 maj, jo vetëm do të vendosë Alfred Gegën si qytetar të parë të Maliqit, dhe kandidatë të Primareve në mbarë vendin, por është fryma e triumfit të demokracisë, vlerave, fryma e ndryshimit të madh, është fryma e cila do të shpëtojë shqiptarët nga pushteti i atyre që përdorën atë në mënyrën më të shfrenuar për pasurimin e vet.
E përdorën atë në mënyrën më të pamëshirë për vjedhjen tuaj. E përdorën atë në mënyrën më të pamëshirë për mashtrimin tuaj. E përdorën atë në mënyrë të pamëshirë për përzënien tuaj nga votat tuaja, dhe sot të pashpirt, të pangopur, pasi kanë përzënë 1 milionë shqiptarë në 8 vite deklaronin se do sjellim familjarë dhe punëtorë nga Sri Lanka, Bangladeshi dhe India. Dhe këta, iu garantoj për trafik të qenieve njerëzore, dhe jo për të punuar këtu”, deklaroi Berisha./btvnews.al