Ish-drejtori i burgut të Lushnjës, Judmir Shurdhi është vendosur në prangat e policisë.
Judmir Shurdhi është dënuar në qershor 2022 me 1 vit e katër muaj burg nga Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar (GJKKO).
Ai është shpallur fajtor për veprat penale shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera.
Ish-drejtori i burgut “Kosova” të Lushnjës akuzohet se bashkë me vartësit e tij shkelën procedurat për tenderin e përcaktuar për transportin e gardianëve të burgut.
Sipas SPAK Shurdhi i cili ka mbajtur detyrën e drejtorit të burgut në vitin 2020, kohë kur daton shkelja në fjalë ka shpërdoruar detyrën lidhur me zhvillimin e tenderit për transportin e punonjësve pasi ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ai kishte miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe kishte ushtruar presion për kualifikimin e një operatori që mori pjesë në garë.
Judmir Shurdhi u arrestua në vitin 2019 bashkë me vartësin e tij Llazar Mino, pasi liruan nga burgu 4 muaj e 22 ditë para kohe, Lulzim Cakën, i dënuar për një sërë veprash të rënda penale.