Organizonte në lokalin e tij veprimtarinë e kundërligjshme të lojrave të fatit, procedohet penalisht 36-vjeçari.
Sekuestrohen 2 pajisje kompjuterike dhe disa bileta bingoje.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Dibër, zbuluan një tjetër lokal të përshtatur për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Si rezultat në ambientet e lokalit të shtetasit R.D., në qendër të Klosit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 njesi kompjuterike dhe disa bileta bingoje që shërbenin në ushtrimin e veprimtarisë së lojrave të fatit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ndaj shtetasit R.D., 36 vjeç, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. /btvnews.al