E mërkurë, 30 Prill, 2025

Konflikt për dhuratat e Krishtlindjes/ Adoleshenti qëllon për vdekje motrën në Florida

Një 14-vjeçar ka qëlluar për vdekje motrën e tij më të madhe në Florida pas një debati familjar për dhuratat e Krishtlindjes. CBS News shkruan se adoleshenti kishte dalë për të bërë pazar me motrën e tij 23-vjeçare, Abrielle Baldwin, nënën e tij, vëllanë dhe fëmijën e motrës.

Vëllezërit adoleshentë, konkretisht 14 dhe 15 vjeç, debatuan në dyqan se kush po merrte më shumë dhurata për Krishtlindje, nga ku nisi konflikti mes tyre. Djemtë vazhduan të debatonin në shtëpi, ku ndodhej dhe gjyshja, e cila kujdesej për fëmijën e 23-vjeçares teksa ajo ishte në punë.

Pasi 23-vjeçarja mbaroi punën dhe hyri në shtëpi, 14-vjeçari nxorri një pistoletë dhe ia drejtoi vëllait të tij duke i thënë se do ta qëllonte në kokë. 15-vjeçari i tha se nuk donte të grindej duke i kërkuar të vëllait më të vogël që të largohej nga shtëpia.

Një nga familjarët e adoleshentëve e nxori në dhomën tjetër 14-vjeçarin, ku e motra ishte në mënyrë që të qetësoheshin gjërat mes vëllezërve pa e ditur se aty do të niste tragjedia e vërtetë. Në ato momente, 14-vjeçari ofendoi motrën e tij dhe i tha se do ta qëllonte atë dhe foshnjën e saj dhe këto nuk mbetën vetëm fjalë pasi ai qëlloi në gjoks 23-vjeçaren. Foshnja e saj, e cila ishte në karrocë, nuk u lëndua. Baldwin u dërgua në një spital, ku u shpall e vdekur.

Nga ana tjetër, vëllai tjetër 15-vjeçar doli jashtë me pistoletë dhe dyshohet se e qëlloi adoleshentin më të vogël në stomak. Më pas ai vrapoi, duke e hedhur armën në një oborr aty pranë. Adoleshenti është arrestuar në shtëpinë e një të afërmi të tij.

Ndërsa, 14-vjeçari (autori i dyshuar i vrasjes së motrës së tij), i plagosur iu nënshtrua një operacioni dhe tashmë ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spital. Ai është akuzuar për vrasje të shkallës së parë, abuzim me fëmijët dhe mbajtje të armës së zjarrit.

Ndërkohë, vëllai tjetër 15-vjeçar u akuzua për tentativë vrasjeje të shkallës së parë dhe manipulim të provave fizike. Të dy adoleshentët ishin arrestuar më parë për vjedhje makinash

Artikuj te ngjashem

Me te fundit