Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për deklaratat e tij për 21 janarin. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shprehet se drejtësia ka shumë për të zbardhur rreth 21 janarit dhe ky hetim, sipas tij, “nis që nga Ilir Meta që është njeriu me bllok, tek Edi Rama që është organizatori i saj”.
Në videon e shpërndarë në Facebook kur Meta dhe Berisha përplaseshin në Parlament për 21 janarin me akuza, Basha shkruan se “sot i njëjti person mbron Berishën”.
Reagim
Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.
Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj.