E premte, 25 Prill, 2025

Rihapen qendrat ambulatore në Bllatë të Dibrës, pasi lajmi i mbylljes së tyre u bë publik

Qendra ambulatore e fshatit Bllatë e Poshtme në Bashkinë e Dibrës do të vazhdojë të jetë e hapur që banorët të marrin shërbimin parësor shëndetësorë pranë banesave të tyre.

Pak ditë më parë ata u ankuan se për një injeksion duhej të udhëtonin deri në Maqellarë pasi në fshatin e tyre nuk kishte kush ta bënte.

Pasi shqetësimi i tyre u bë publik në media, menjëherë institucionet shëndetësore në Dibër kanë marrë masa për të emëruar infermier në fshat si dhe kanë bërë të mundur që qendra ambulatore të hapet dhe të jetë funksionale për të gjithë banorët.

Këta të fundit thonë se ky është një shërbim jetik për ta, ndërsa falenderojnë mediat që përcollën shqetësimin e tyre.

Edhe në fshatin Bllatë e Sipërme është rikthyer shërbimi shëndetësor në qendrën ambulatore. Edhe këtu, ky objekt është hapur për të pritur të gjithë banorët e fshatit nëse kanë nevojë për injeksione të ndryshme para se të përcillen tek mjeku specialist apo janë dhënë prej tij.

Mosfunksionimi siç duhet i qendrave ambulatore është një problem i vazhdueshëm në dy dekadat e fundit në vendin tonë.

Shumë prej këtyre objekteve janë jashtë funksioni si pasojë e amortizimit e në shumë të tjera mundojnë infermierët

Artikuj te ngjashem

Me te fundit