Kur na ndajnë edhe 22 ditë nga afati që emigrantët kanë për t’u regjistruar me qëllim që të votojnë në zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një apel, që të regjistrohen sa më parë dhe mos ta lënë për ditët e fundit.
Kreu i qeverisë shprehet se numri i të regjistruarve është premtues por duhet të jetë akoma i lartë, ndërsa shton se “së bashku do ta çojmë Shqipërinë drejt majës së vitit 2030”.
“22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporës, 11 maji do të jetë një votim historik edhe për faktin se për herë të parë shqiptarët e Evropës dhe botës do të votojnë nga jashtë kufijve nga aty ku janë me postë.
Kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri më 4 mars, sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit me një zarf është kohë e domosdoshme.
Deri tani numri i regjistruesve është premtues, por mund të jetë edhe më shumë. Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Gjykimi i çdo kujt që e sheh progresin e Shqipërisë tonë të përbashkët vlen.
Unë mezi pres që të shoh se cili do jetë gjykimi i shqiptarëve të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deridjeshme për Shqipërinë e respektuar nga bota si asnjëherë më parë, për Shqipërinë që në mandatin tonë të 4 do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në BE.
Regjistrohuni, mos e lini për ditën e fundit kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ dhe të bëhet më pas shumë më e vështirë”, tha Rama.