Kryesocialisti Edi Rama, në një takim që po zhvillon me qytetarët në Burrel, tha se me rrugën e Arbrit, që ka shkurtuar ndjeshëm distancën me Tiranën, interesi për të vizituar zonën do të rritet. Rama nuk kurseu batutat, teksa tha se me përfundimin total të rrugës së Arbrit, ata do t’i kursejnë për disa kohë spicat.
“Është kënaqësi që të vish këtu në këtë zonë dhe të nisesh nga Tirana sikur po shkon në Durrës dhe ta gjesh veten në Burrel. Më vjen mirë që tanimë edhe tuneli kokëfortë i Murrizit u dorëzua dhe për pak ditë do të mbyllim edhe segmentin e fundit të mbetur Maqellarë-Peshkopi sepse megjithëse këtu në Mat më kanë thënë mos u lodh kot se dibranëve aty lart nuk ua mbyll gojën kurrë por kur t’ua çojmë rrugën e Arbrit deri te hoteli i Astritit për ca kohë do na i kursejnë nga spicat e tyre.
Kënaqësi edhe për një arsye tjetër se ky qytet nuk njihet më në krahasim me çfarë ishte përpara sesa ne të merrnim besimin e popullit të Matit, dhe realisht me rrugën e Arbrit, një lidhje e shkurtër me Tiranën me transformimet në qytet dhe natyrën e jashtëzakonshme që ka përreth nuk është e ekzagjeruar që të imagjinosh që në 5-6 vjet, kjo zonë do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit. Duket si fantazi por nuk është fare.
Do të ishte realisht e pamundur ta imagjinonim një gjë të tillë me rrugën e deridjeshme ku të thyeshin brinjët për të ardhur deri këtu, por sot është normale ta mendosh sepse distanca është bërë thuajse e barabartë me Durrësin kur ka trafik. Durrësi ka detin, kjo zonë ka malet dhe pyjet e mahnitshme. Kështu që unë jua them miqve të mi nga Dibra, blini ca të mundeni sot se nesër s’do të blini dot. Jam i bindur që tani kanë filluar të ndihen efektet në vlerën e apartamenteve edhe këtu edhe në Peshkopi”, u shpreh Rama.
Rama citoi edhe një raport të Bankës Botërore, e cila thotë se varfëria është ulur nën 20% në Shqipëri.
“Po them disa shifra të Bankës Botërore, e cila në raportin e vet të vitit të kaluar, thotë se në Shqipëri varfëria ka thënë në mënyrë domethënëse dhe sipas BB, në 2023, në 2024ka pasur akoma më tepër përparim, në 2023, ka shkuar në 21% nga 41% që ka qenë në 2016. Dhe BB thotë se kjo ka ndodhur si rezultat i rritjes së fortë të prodhimit të brendshëm bruto. Parashikohet rënie e mëtejshme thotë BB, gjë që ka ndodhur në 2024, ku varfëria ka rënën nën 20%.
Edhe te kjo duhet të kemi parasysh se po të shikojmë konsumin, e parë nga një kënd tjetër, varfëria është bërë më relative se sa ka qenë. Konsumi i familjes shqiptare në tërësi në këtë periudhë është rritur me afro 35%, në qarkun e Dibrës, është rritur me 11.2%. Shpenzimet e konsumit, flasim për familjet me 4 anëtarë janë rritur me 28% ndërkohë që për ata me 5 anëtarë janë rritur me 36%. Prodhimi i përgjithshëm kombëtar ka qenë më pak se 10 mln euro në total kur kemi marrë detyrën ndërsa në 2024 arriti thuajse në 25 mld euro, dy herë e gjysmë rritje në një dekadë.”, tha Rama.