E premte, 25 Prill, 2025

Deklarojnë se produktet luksoze prodhohen në Kinë, e vërteta pas videove virale!

Nëse jeni duke lundruar në TikTok a Instagram, mund të hasni video të ndryshme nga fabrikuesit kinezë që thonë se shumë marka luksoze i prodhojnë produktet e tyre në Kinë.

Kjo është një ngjarje që ndodh në një moment kur SHBA dhe Kina kanë rritur tarifat e importit ndaj njëra-tjetrës.

Jake Horton nga BBC Verify kërkon të zbulojë të vërtetën përtej këtyre deklaratave. Pyetja është: ku prodhohen mallrat luksoze europiane?

Sipas prodhuesve kinezë, “ata marrin produkte thuajse të përfunduara nga Kina dhe bëjnë thjesht ripaketimin dhe vendosjen e logos”. Pretendimi kryesor është që mallrat e kushtueshme prodhohen kryesisht në fabrikat kineze.

Louis Vuitton deklaron se mallrat e lëkurës prodhohen ekskluzivisht në atelietë në Europë dhe SHBA. Gucci thotë se 95% e prodhuesve të kompanisë janë në Itali.

Paul Roeland, një ekspert i fushës thotë:

“S’është aq e lehtë sa e bëjnë këto video. Ka shumë gjëra që prodhohen në Kinë edhe për mallrat luksoze. Ne nuk e dimë saktësisht sepse sektori ka shafaqur rezistencë për të treguar transparencë për zinxhirin e prodhimit. Nga ana tjetër s’është e vërtetë që në Europë thjesht ngjitet një etiketë”.

Sipas rregullave të BE-së, që diçka të quhet ‘Made in Europe’ duhet të kalojë aty ndryshimin e fundit thelbësor.

Ekspertët thonë se thjesht shtimi i një logoje apo paketimi në Francë a Itali, siç pretendohet në videot që qarkullojnë, nuk vlen. Por nuk ka rregulla të qarta për sasinë e produktit që duhet të prodhohet në Europë që të quhet i tillë.

Gazetarja e modës, Dana Thomas shprehet se “industria është e fragmentuar”. Ajo shpjegon si procesi i prodhimit të një pulovre mund të ndodhë në vende të ndryshme pasi copa mund të merret nga një shtet, lyhet në një tjetër, endet, qepet dhe përfundohet në shtete të tjera.

Marka Lululemon thotë se 3% e mallrave të përfunduar të saj prodhohen në Kinë, por thekson se nuk bashkëpunon me fabrikuesit në video ndaj bën thirrje për vigjilencë ndaj “produkteve false apo keqinformimit”.

Në fund, teksa qëndron ideja se shtëpitë e modës prodhojnë në Kinë, këto video s’janë plotësisht të vërteta. Këta prodhues mund të ofrojnë produkte shumë të përafërta, por jo cilësi të njëjtë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit