Në një takim entuziast me gratë dhe vajzat socialiste të Fierit, kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë e të mbushur me mesazhe politike, batuta ironike dhe shifra konkrete që sipas tij tregojnë transformimin ekonomik dhe social të vendit gjatë tre mandateve të qeverisjes socialiste.
Transformimi i Fierit dhe roli i grave në zhvillim
Rama nisi fjalimin me lavdërime për pamjen e re të qytetit të Fierit, të cilin e përshkroi si “pasqyrë e jashtëzakonshme e një transformimi të pabesueshëm”, duke theksuar se rritja e vlerës së pronave dhe kërkesa për ndërtim janë tregues të këtij përparimi. Ai vlerësoi rolin e grave në këtë transformim, duke theksuar me ironi: “Roskoveci është burrë, por kush e ka bërë kështu është grua”.
Bilanci i tre mandateve në shifra
Në një pjesë të gjatë të fjalimit, Rama paraqiti një sërë të dhënash ekonomike për të dëshmuar, sipas tij, arritjet e qeverisë socialiste:
PBB: Nga 10 miliardë euro në 2013 në 25 miliardë në 2024; objektivi për 2030 është 35 miliardë.
Të ardhurat për frymë: Nga 3,300 euro në 10,300 euro; synimi për 2030 është 15,000 euro.
Borxhi publik: Nga 70% në 54%.
Papunësia: Nga 17.5% në 8.8%.
Paga minimale: Nga 157 euro në 400 euro; synimi për 2030 është 650 euro.
Paga mesatare në sektorin publik: Nga 372 euro në 1,000 euro; synimi 1,200 euro.
Numri i të punësuarve: Nga 1.023.000 në 1.327.000.
Paga e grave: Nga 300 euro në 820 euro.
Hendeku gjinor në OKB: Shqipëria nga vendi i 83-të në të 23-in për barazi gjinore.
Investimet e huaja dhe eksportet: Janë trefishuar krahasuar me vitin 2013.
Taksat: 93% e të punësuarve paguajnë më pak se 10%, 57% nuk paguajnë fare.
Ndihma për personat me nevoja të veçanta dhe për nënat e papuna: janë dyfishuar përfitimet, janë përfshirë në skema pensionale e sigurime.
Investimet në qarkun e Fierit
Rama theksoi se në një dekadë janë investuar 686 milionë euro në qarkun e Fierit, duke përfshirë:
373 projekte rrugore, çerek miliard euro.
82 milionë euro në ujësjellës e kanalizime.
85 milionë euro në energji.
129 milionë euro në bujqësi.
106 projekte në arsim e sport, 37 milionë euro.
40 milionë euro në 69 projekte për shëndetësinë.
Projekte urbane për qytetet dhe sheshet me 42 milionë euro.
25 projekte për turizmin publik, 3.3 milionë euro.
Programi i çekut të bebes do të zgjerohet në mbështetje mujore deri në moshë të caktuar.
Thirrje për mobilizim: “Gratë ta marrin fatin në dorë”
Në fund, Rama u bëri thirrje grave që të marrin në dorë fatin europian të Shqipërisë dhe të bindin edhe burrat dhe djemtë për të votuar më 11 maj.
“Ju lutem që të gjitha shoqet, fqinjet, krushkat, koleget t’i merrni me vete që Shqipëria 2030 të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Ju dua shumë dhe forca përpara!”, përfundoi Rama, duke mos kursyer as batutat ironike për rivalët politikë si “bufi i kënetës” dhe premtimet e tyre për të “shkrirë SPAK-un e e-Albanian”.