Naim Bunjaku, i njohur për publikun si Xuxi, ka uruar publikisht Gjestin për fitoren e tij në edicionin e katërt të “Big Brother VIP Albania”. Në një intervistë të dhënë për “Robi plaket kur don vet”, Xuxi nuk kurseu vlerësimet, duke theksuar se suksesi i Gjestit ishte i merituar dhe i natyrshëm.
“Jam gëzuar shumë sinqerisht”, tha ai, duke shtuar se e ka përkrahur nga fillimi e deri në fund, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Sipas Xuxit, mosha, gjendja familjare dhe përkushtimi i Gjestit e bënin atë kandidatin ideal për këtë reality show. “Nuk kishte pengesa jashtë, prindërit i ka mirë, është njeri i përkushtuar dhe shumë inteligjent – e ka ndërtuar lojën me kujdes”.
Ai gjithashtu nënvizoi se qëndrimi gjashtëmujor brenda shtëpisë ishte një sakrificë në vetvete, dhe se sjellja e Gjestit gjatë gjithë edicionit ishte e pandryshuar: “Nuk ka ofenduar askënd, ka qenë gjithmonë korrekt”.
Xuxi dhe Gjesti kanë ndarë më parë eksperiencën së bashku në BBV Kosova 3, dhe kjo njohje e hershme, sipas tij, e ka bërë ta kuptojë që në fillim potencialin që kishte për të shkuar deri në fund edhe në Shqipëri.