E martë, 6 Maj, 2025

LaCivita: Personat që kanë përndjekur Trump, i kanë gjurmët te rasti i Berishës

Gazeta amerikane ‘Wall Street Journal’ i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve që do të mbahen në Shqipëri më 11 maj. Në artikull theksohet se Chris LaCivita, arkitekti i fitores së Donald Trump, po drejton fushatën e opozitës në Shqipëri. Në median amerikane ka marrë shumë rëndësi dhe rasti i shpalljes non grata i Berishës nga DASH.

Sipas WSJ, Berisha ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij si mashtrime dhe përpjekje nga kundërshtari i tij për hakmarrje politike. Ndërkohë që mediumi amerikan shton se shumica e mesazheve të LaCivita në Shqipëri për Berishën kanë pasqyruar mesazhet e Trump. LaCivita e fajësoi Ramën për rritjen e çmimeve dhe krimin, duke u përqendruar te inflacioni.

Artikulli i Plotë:

“Gjatë një mbrëmje në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, një amerikan përshkoi një turmë të zhurmshme me mijëra vetë, u ngjit në skenë dhe bëri një pyetje: Kush është gati ta bëjë Shqipërinë të madhe sërish?

Ky amerikan ishte Chris LaCivita, një nga arkitektët e rikthimit politik të Donald Trump-it në vitin 2024, pavarësisht dhjetëra akuzave penale. Ai tani po përpiqet të përsërisë atë strategji për Sali Berishën, një ish-kryeministër i vendit ballkanik, i cili përballet vetë me akuza për korrupsion dhe është i sanksionuar nga SHBA.

Si kryetar i partisë opozitare, Berisha do të ishte në rrugën për t’u bërë sërish kryeministër nëse partia e tij fiton shumicën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në Shqipëri, LaCivita ka folur në tubime të mëdha, ka ndihmuar në hartimin e reklamave televizive, ka marrë pjesë në disa thirrje Zoom me mijëra shqiptarë, ka udhëtuar tri herë në këtë vend, është shfaqur në ngjarje të ndryshme publike dhe është kthyer në një objektiv për kundërshtarët dhe përkrahësit njëkohësisht. Ai shpesh i zhvillon takimet nga zyra e tij në Virxhinia.

Gjatë këtij procesi, ai është bërë papritur një figurë qendrore në një vend me rreth 2.7 milionë banorë përpara zgjedhjeve.

“Ka një pjesë të elektoratit në Shqipëri që më pëlqen dhe një pjesë që nuk më pëlqen,” tha LaCivita duke qeshur në një intervistë të fundit.

LaCivita e krahasoi situatën me ndjekjet penale ndaj Trump-it. “Të njëjtët njerëz që ndërmorën veprime të ngjashme kundër Donald Trump-it, gjurmët e tyre janë kudo në këtë rast,” tha LaCivita.

Ai nuk pranoi të thotë se sa po paguhej, por u shpreh se ishte “në përputhje me një fushatë politike kombëtare” dhe se do të bëhej publike nga partia shqiptare pas zgjedhjeve.

“Në vitin 2024, të majtët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump-in. Dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën e tyre. Do të dështojnë,” tha ai në një miting muajin e kaluar, me një përkthyes që përcillte fjalët e tij për turmën prej mijëra vetash, shumë prej të cilëve valëvitnin flamuj amerikanë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit