E martë, 6 Maj, 2025

Trump ndërpret fondet për universitetin e Harvardit: Keni përkrahur protestat studentore

Tashmë është bërë zyrtare. Administrata Trump do të bllokojë Universitetin e njohur të Harvardit nga e drejta për të marrë grante të reja kërkimore nga qeveria federale. Në këtë mënyrë pritet të përshkallëzohet më tej sulmi ndaj universitetit elitar.

Sekretarja e Arsimit, Linda McMahon i ka dërguar një letër presidentit të Harvardit, duke deklaruar se universiteti “nuk është i kualifikuar për asnjë grant të ri nga qeveria federale derisa të demonstrojë menaxhim të përgjegjshëm”. Vendimi është sulmi më i fundit nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kundër Harvardit dhe universiteteve të tjera elitare, të cilat ai i ka akuzuar për promovimin e politikave progresive dhe nxitjen e një kulture “zgjimi dhe proteste nëpër kampuse.

Arsyeja e dhënë ishte se universiteti, me seli në Kembrixh të Masaçusetsit, përfiton masivisht nga mbështetja shtetërore, por nuk i përmbahet rregulloreve federale – ndërsa në të njëjtën kohë ka miliarda dollarë në asete që janë pothuajse të pataksuara.

Javën e kaluar Trump tha se do ta hiqte statusin e Harvardit si të përjashtuar nga taksat. Ai më herët kishte njoftuar plane për të hequr më shumë se 2.2 miliardë dollarë fonde federale nga universiteti, duke e bërë atë të niste veprime ligjore kundër administratës.

Në letrën e saj, Linda McMahon akuzon universitetin për dështimin në adresimin e antisemitizmit në kampus, tolerimin e diskriminimit, braktisjen e rigorozitetit akademik dhe mungesën e diversitetit të pikëpamjeve.

Megjithatë, ndryshe nga universitetet e tjera, Harvardi refuzon të përmbushë kërkesat e gjera nga Uashingtoni, të tilla si ato në lidhje me procedurat e pranimit, kodet e sjelljes dhe vendimet për personelin. Pasi universiteti hodhi poshtë kushtet përkatëse, qeveria ngriu fonde të konsiderueshme: Në total, Trumpit iu pezulluan 2.2 miliardë dollarë amerikanë (rreth 1.9 miliardë euro) në grante federale shumëvjeçare dhe rreth 60 milionë dollarë nga kontratat në vazhdim me universitetin. Sipas mediave amerikane, në lojë është një financim qeveritar me një total prej rreth 9 miliardë dollarësh.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit