Një ngjarje tragjike është konfirmuar sot në zonën e Holtës, Gramsh, ku dy punëtorë kanë humbur jetën pas rrëshqitjes së një masivi dheu gjatë punimeve në një kantier ndërtimi hidrocentrali.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, viktimat janë identifikuar si shtetasit Abas Basha, 22 vjeç dhe Egzon Lleshi, 32 vjeç, të cilët ndodheshin në punë në momentin kur ndodhi fatkeqësia. Masivi i dheut dyshohet të ketë rrëshkitur aksidentalisht, duke i zënë poshtë punëtorët.
Ngjarja ndodhi pranë një kanali që furnizon me ujë hidrocentralin në ndërtim, ndërsa autoritetet policore dhe grupet mjekësore mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes pas marrjes së njoftimit.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të dokumentuar ligjërisht këtë ngjarje të rëndë, që vjen vetëm pak ditë pas një tjetër aksidenti fatal në Klos, ku një 29-vjeçar humbi jetën nga shembja e një masivi kromi.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak
Në fshatin Holta, gjatë punës në një kantier ndërtimi, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur një masiv dheu, dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit A. B., 22 vjeç dhe E. Ll., 32 vjeç.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.