E premte, 16 Maj, 2025

Berisha në samitin e IDU në Bruksel: Zgjedhjet e 11 majit, farsë masive

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në samitin e IDU (International Democracy Union) në Bruksel se, “zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri ishin një farsë e qartë, e paralajmëruar, një farsë masive, e parashikuar në rezolutën e IDU-së, në rezolutën e PPE-së, në rezolutat e CDI-së dhe në qëndrime të tjera ndërkombëtare”.

Këto zgjedhje, theksoi ai, “u zhvilluan në një klimë terrori politik të paparë më parë ku Kryeministri vuri në burg, në arrest shtëpie apo nën ndjekje penale, tre drejtues të partive kryesore të opozitës, u hoqi mandatet kryetarëve të bashkive dhe burgosi deputetë të opozitës”.

Së dyti, shtoi Berisha, “si narkoshtet që është, Shqipëria u bë vegël e organizatave kriminale që u përdorën gjerësisht për të siguruar vota për Kryeministrin”

Në fakt, vijoi kreu i PD, “sot njerëzit më të votuar janë kandidatë anonimë të këtyre bandave dhe organizatave kriminale.

Sipas Berishës, u përdorën mjete publike financiare për të blerë vota.

“Konkretisht, çdo pensionisti iu dhanë 100 euro si “dhuratë” në mes të fushatës zgjedhore, si një dhuratë nga Kryeministri. Por, zonja dhe zotërinj, pensionistët përbëjnë sot 48% të elektoratit në Shqipëri, pasi në 10 vjet janë larguar rreth 600,000 të rinj”, tha ai.

Po ashtu, theksoi Berisha, “dy ditë para zgjedhjeve, Kryeministri shpalli një amnisti për të gjitha gjobat dhe interesat 10-vjeçare, me një total mbi 200 milionë euro”.

“ Gjatë fushatës, Kryeministri dha 138 licenca për mbjelljen e dhjetëra mijëra rrënjëve kanabisi, ku një rrënjë në Shqipëri vlen rreth 1,000 euro, përdori drogën për vota. Po ashtu, masivisht u bënë punësime në administratën qendrore, lokale dhe ndërmarrje publike për qëllime elektorale. Ai financoi me 7 milionë euro një organizatë private për ngjarjen Giro d’Italia, që u mbajt në ditën e zgjedhjeve dhe ditën para tyre, thjesht si propagandë. Kontroll i plotë u ushtrua mbi të katër mediat kombëtare. Ai bllokoi TikTok-un”, tha Berisha.

“Jemi mirënjohës që këto veprime janë reflektuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë si: OSBE, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës, të cilët nxorën një raport shumë serioz. President, zgjedhjet ishin farsë. Nëse nuk u kthejmë të drejtën për të votuar shqiptarëve, vendi po zhduket. Sipas Eurostat, në 10 vitet e fundit, mbi 1,099,000 shqiptarë janë larguar drejt Bashkimit Europian”, tha Berisha.

“Faleminderit edhe një herë për mbështetjen shumë të çmuar që keni treguar. Kërkoj sërish mbështetje nga qeveritë, nga IDU, PPE, CDI dhe qeveritë në pushtet që kombi im të mund të votojë i lirë. Sigurisht, ne do të bëjmë çdo përpjekje, por solidariteti ndërkombëtar është vendimtar për të fituar”, përfundoi Berisha.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit