Dy finalistët e Europa League, Man.United dhe Tottenham nuk njohin limite në Angli, vijojnë rënien drastike duke prekur fundit, për fatin e tyre të mirë, mbijetesën e kishin siguruar kohë më parë. “Djajtë e kuq” pësuan humbjen e 18-të sezonale përballë Chelsea-t, një disfatë e rëndë, por tashmë asnjë rezultat negativ nuk përbën më lajm.
Blutë londinez dolën me 3 pikë nga ky takim duke përforcuar pozitat në zonën Champions pasi dy javë përpara fundit, vetëm 1 nga 6 ekipe kanë siguruar matematikisht një biletë për në Champions. United i vendosi jo pak në vështirësi gjatë pjesës së parë, por në fraksionin e dytë, Cucurella i shërbyer pastër në zonë, me kokë dërgoi topin në rrjetë, një gol që në fund rezultoi një 3 pikësh duke e vendosur Chelsea-n provizorisht në vendin e katërt.
Një fitore të rëndësishme për objektivin Champions siguroi edhe Aston Villa duke kapur Chelsea-n në kuotë të njëjtë pikësh, 66-të. Ndaj Tottenham, pas një pjesë të parë të mbyllur me rrjeta të pa prekura, Aston Villa i goditi me fillimin e pjesës së dytë, ku Konsa dhe Kamara gjetën rrugën e rrjetës duke hipotekuar këtë fitore të rëndësishme.