Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrethrrotullimin e Kolonjës, përgjatë autostradës Fier–Lushnje, një zonë e njohur për numrin e lartë të aksidenteve me pasoja fatale. Rreth orës 04:30, një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin kullues pranë rrethrrotullimit.
Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, një 28-vjeçar i identifikuar si Serxhio Gogaj.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe zjarrfikësja, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e automjetit nga kanali. Policia shkencore po kryen veprimet hetimore për të dokumentuar rrethanat e aksidentit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë përgjumja e drejtuesit e ndjekur nga humbja e kontrollit për shkak të shpejtësisë së lartë, çka ka sjellë përplasjen me barrierat mbrojtëse dhe rrëzimin e mjetit në kanal.
Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes — nëse ka ndodhur si pasojë e përplasjes apo nga mbytja në ujë.
Trupi i viktimës është dërguar në morgun e Lushnjes.
Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 04:50, në vendin e quajtur “Rotondo e Kolonjës”, shtetasi S. G., 28 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë ka rënë në një kanal me ujë dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.’