Dashuria për këngët e vjetra shkodrane bëri bashkë gjashtë vite më parë artistët Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, që u takuan në rrugët e Italisë për t’u rikthyer në qytetin e vendlindjes, ku përzgjodhën këngët e preferuara dhe duke ruajtur elementët autentikë, i risollën në një stil elektronik bashkëkohor, ashtu sikurse Zjerm, që i ngjiti në skenën e Festivalit Europian të Këngës!
Kolë Laca, producent – Kur rritesh e kupton që janë moderne këto këngë, kanë 100 vite por janë shumë të freskëta. Mjafton të ndërrosh pak tingujt dhe kënga duket si e kompozuar dje.
Beatriçe Gjergji, këngëtare – Këngët shkodrane më kanë dhënë shumë frymëzim dhe më dukeshin në të njëjtin nivel me këngëtarë të mëdhenj RnB, janë gjëra të vështira por të bukura.
Artistët e Shkodra Elektronika rrëfejnë se pas këngës që na bëri krenarë në Eurovision, qëndronte dëshira për t’i kënduar njerëzve të thjeshtë dhe kjo sipas tyre ishte arsyeja e mbështetjes së madhe që morën nga shqiptarët gjatë gjithë këtij rrugëtimi unik.
Beatriçe Gjergji – Mendova të shkruaj një këngë për festival që fliste për gjëra të thjeshta… imagjino një minutë ku të gjithë gjërat shkojnë mirë, një ëndërr me sy hapur.
Kolë Laca – Njerëzit e kanë ndjerë këtë këngë, ndjenim se po shkonim të tërë bashkë në Eurosong. As ne nuk jemi ndjerë vetëm, ishim të tërë bashkë.
Performaca e Shkodrës Elektronike bëri që Eurosong të flasë shqip në çdo detaj, përfshirë fustanin e zjarrtë që simbolizoi trupin e Rozafës dhe qilimin që u shtrua në skenë.
Beatriçe Gjergji – Në janar mami nisi të qendisë tutën, e qëndisi krejt me dorë, më pas nisi pjesën tjetër. Fustani që i ka marrë më shumë kohë se çdo tjetër. Më pas stiloi kostumin e Kolës. Iu deshën gjashtë muaj. Edhe fustani me qilim lidhet me narrativën që donim të kishim, mami gjeti një qilim te shtëpia e gjyshes, i gjithë fustani imitonte shtëpinë e gjyshes. Ky ishte koncepti: Shqipëria është me ne.
Pa hatërmbetje për votat e jurisë, Beatriçe dhe Kola janë të mbushur me dashurinë e publikut, për të cilin kanë vetëm mirënjohje.
Kolë Laca – Njerëzit na interesojnë, çdo gjë që ka të bëjë me jurinë s’na intereson shumë.
Zjermin, që ngrohu zemrat e ndjekësve, nuk kanë ndërmend të shuajnë… artistët që ripunimin e këngëve të vjetra e cilësojnë një argëtim, zbulojnë për Top Channel projektet e reja e ndajnë momentet nga bashkëpunimi i veçantë me një grup isopolifonik nga Çorovoda.
Beatriçe Gjergji – Te ky disk kemi eksperimentuar nga këngë nga pjesë të tjera të Shqipërisë.
Kole Laca – Kemi xhiruar me një grup isopolifonik në Çorovodë…
Për Beatriçe Gjergjin dhe Kolë Lacën, ëndrrat po bëhen realitet dhe ky pasion duket se do i mbajë më shumë në atdhe, ku duan të vazhdojnë të krijojnë dhe dhurojnë emocione për publikun.