E hënë, 16 Qershor, 2025

Turizmi malor “në modë”! Shtohen aventurierët që kërkojnë të ngjiten në male ose të provojnë rafting në lumenj

Në kërkim të freskisë nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin, shumë njerëz i drejtohen bregdetit shqiptar.

Por gjithnjë e më shumë po shtohen aventurierët e maleve. Ngjitja në mal apo larja në lumenj po shihet si një zgjidhje alternative, më së shumti gjatë fundjavave edhe nga kryeqytetasit, me destinacione jo më shumë se 1 orë larg.

“Destinacionet malore janë më të frekuentuara në këtë periudhë sepse janë edhe më të aksesueshme nga të gjithë. Tirana ka disa destinacione që mund të frekuentohen, destinacione ditore. Mund të përmendim këtu zonën e Shëngjergjit që ka ngjitjen në mal, disa liqene, ujëvarën. Destinacione në zonën e Krrabës ku është syri Cikllopit, ku është kanioni i Erzenit, shpella e Pëllumbasit. Nga Tirana nuk është larg as Elbasani ku mund të bësh rafting. Për një orë je në rrugën e re të Arbrit në Dibër ku gjithashtu mund të bësh një aktivitet interesant siç është rafting në Drinin e Zi”, tha Blerim Ceka, guidë turistike.

Gjatë ecjes, për të mbërritur në destinacionet e pazgjedhura, duhen pasur parasysh disa këshilla ,për të qenë sa më të sigurt, sidomos gjatë periudhës së verës.

“Gjëja kryesore që duhet të kenë të gjithë parasysh janë veshjet e përshtatshme dhe diçka që duhet mos ta neglizhojnë asnjë njeri, është uji. Në çdo lloj destinacioni që shkon pavarësisht se mund të largohesh edhe një orë larg dhe ti mendon se ja del dhe pa ujë, ky është një gabim sepse secili në të tilla aktivitete duhet të ketë të paktën 1.5 litra ujë me vete”, tha Ceka.

Të rinjtë janë ata të cilët cdo vit e më shumë, po e përqafojnë turizmin e aventurës, duke provuar ngjitjen në male, ekspolorimin e kanioneve apo rafting në lumenjë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit