E martë, 17 Qershor, 2025

Ngrica shkatërroi qershitë në Dibër, për herë të parë panairi me tezgat bosh, mungon simboli i festës

Bashkia e Dibrës ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror, me një atmosferë festive në sheshin “Nazmi Rushiti”, ku u organizua panairi i produkteve vendase, i njohur si “Panairi i Qershisë”. Edhe pse këtë vit mungoi simboli i panairit – qershia – për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga ngricat, festa nuk humbi gjallërinë dhe ngjyrat që e karakterizojnë.

Në stendat e panairit u ekspozuan produkte bio të zonës, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje, veçanërisht pas përfundimit të Rrugës së Arbrit që e ka afruar Dibrën me Tiranën, vetëm një orë larg. Kjo infrastrukturë e re po i jep një hov të ri zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë vendase.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe vizitorë nga qytete të tjera të vendit, të cilët shijuan gatimet tradicionale, produktet natyrale dhe koncertet festive me këngë e valle popullore.

Blendi Klosi, deputet i zonës, theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe turizëm si shtylla të zhvillimit ekonomik të qarkut.

Me hapjen e Rrugës së Arbrit, qarku i Dibrës është bërë më i aksesueshëm për vizitorët vendas dhe të huaj, duke e kthyer në një destinacion të lakmuar turistik. Atraksione si Lugina e Drinit të Zi, mali i Korabit, Liqenet e Lurës, shpella e Sopanikës, kanioni i Setës, si dhe bjeshkët e mrekullueshme të Gramës dhe Hinoskës, ofrojnë mundësi të pafundme për eksplorim dhe relaks.

Dibra mbetet një thesar natyror e kulturor, ku çdo vizitor mund të përjetojë mikpritjen e ngrohtë dhe kulinarinë autentike dibrane.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit