600 krerë bagëti e imtë kanë ngordhur nga murtaja dhe janë asgjësuar në tre vatra të kësaj sëmundje në Qarkun Dibër. Bëhet fjalë për vatrat e shfaqura në Kastriot të Dibrës dhe dy vatra të tjera në Martanesh të Bulqizës.
Sipas specialistëve të veterinarisë së Qarkut Dibër, për momentin këto vatra janë izoluar pasi është kryer i gjithë procesi i nevojshëm që të mos ketë përhapje të mëtejshme të sëmundjes së rëndë.
Ata shtuan se pjesa më e madhe e kafshëve të infektuara kanë qenë dele, ndërsa pjesa tjetër janë dhi.
Ndërkohë, dëmi ekonomik për fermerët e prekur nga kjo sëmundje është shumë i madh, teksa pritet që të me Vendim të Këshillit të Ministrave të miratohet edhe dëmshpërblimi për to.
Nga ana tjetër, deri tani vetëm Bashkitë Mat e Klos kanë mbetur pa u infektuar nga kjo sëmundje e rëndë e cila prek kryesisht bagëtinë e imtë.
Në këto dy bashki nuk ka ende asnjë raportim nga fermerët që mund të jetë shfaqur sëmundja e murtajës, megjithatë, autoritetet apelojnë fermerët të tregohen vigjilent dhe nëse shohin shenja, të njoftojnë menjëherë.