Vladimir Putin ka ofruar publikisht ndërmjetësim për të zbutur përplasjen ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, në një kohë kur raketat po shkëmbehen mes dy vendeve dhe tensionet po rriten me shpejtësi. Por Donald Trump, në një deklaratë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, tregoi se nuk e merr seriozisht këtë ofertë.
“Putini më tha se donte të ndërmjetësonte. I thashë: ‘Bëj një nder – ndërmjetëso Rusinë më parë. Rregullo veten, pastaj fol për të tjerët’”, – tha Trump.
Presidenti amerikan ka qenë më parë i hapur ndaj rolit të Putinit si ndërmjetës, por këtë herë ndryshoi tonin, duke vënë në dukje se nuk mund të flitet për paqe në Lindjen e Mesme ndërsa vetë Rusia është në luftë me Ukrainën.
Nga ana tjetër, Putin përpiqet të paraqitet si faktor stabiliteti në rajon. Rusia është aleate e Iranit dhe ka marrë prej tij dronë për sulmet në Ukrainë, ndërsa ka mbajtur lidhje diplomatike edhe me Izraelin. Kjo e vendos teorikisht në një pozitë të favorshme për ndërmjetësim – të paktën në letër.
Por kritikët, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, e quajnë këtë përpjekje hipokrite, duke kujtuar se Rusia vetë ka shkelur Kartën e OKB-së dhe është përfshirë në një konflikt brutal në Ukrainë që prej vitit 2022