Në Dibër të Maqedonisë së Veriut dhe zonat përreth, dëshira për të pasur një djalë në familje vijon të jetë prezente, edhe pse fenomeni i aborteve selektive mbi baza gjinore raportohet gjithnjë e më pak. Sipas të dhënave zyrtare nga mjekët gjinekologë lokalë, raste të tilla nuk janë regjistruar së fundmi, por ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që ato të ndodhin në mënyrë të fshehtë.
Mjeku gjinekolog në Dibër, dr. Argëtim Fida, tregon se dukuria e aborteve selektive ishte e pranishme në të kaluarën, por sot ka rënë ndjeshëm.
“Nuk kemi regjistruar aborte selektive mbi baza gjinore në Dibër. Bashkëshortët janë më të ndërgjegjshëm dhe shohin me barazi lindjen e një djali apo një vajze. Dëshira për një djalë ekziston për shkak të traditës, por nuk shoqërohet më me abortime të qëllimshme,” shprehet ai.
Sipas tij, nënat në Dibër dhe ato nga zonat ndërkufitare sot i gëzohen njëlloj lindjes së një fëmije të shëndetshëm, pavarësisht gjinisë.
Shumë gra nga zonat kufitare të qyteteve të Dibrës dhe Bulqizës në Shqipëri, për shkak të afërsisë gjeografike dhe shpesh mungesës së shërbimeve të specializuara në zonën e tyre, udhëtojnë drejt Spitalit të Dibrës në Maqedoninë e Veriut. Kjo për të marrë trajtim mjekësor, veçanërisht për shërbime gjinekologjike dhe diagnostikime.
Aborti në Shqipëri është legal deri në javën e 12-të të shtatzënisë, dhe në raste të veçanta ku janë probleme shëndetësore që rrezikojnë jetën e nënës dhe fëmijës, mund të kryhet edhe më vonë. Megjithatë, abortet selektive bazuar në gjini nuk janë të lejuara.
Në Maqedoninë e Veriut, aborti është i ligjshëm deri në javën e 10-të, dhe në raste të veçanta mund të zgjatet deri në javën e 20-të. Në përgjithësi, edhe pse abortet selektive nuk janë të lejuara në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ato ndodhin në mënyrë ilegale për shkak të normave kulturore.
Historikisht, në Dibër djali është konsideruar si trashëgimtari i mbiemrit dhe kujdestari i prindërve në pleqëri. Kjo ka ndikuar që në disa familje të mbetet dëshira për një fëmijë mashkull, sidomos pas lindjes së disa vajzave radhazi.
Një nënë 32-vjeçare nga Dibra, në pritje të fëmijës së katërt tregoin se ka tri vajza dhe dëshironte shumë një djalë. “Por kurrë nuk do ta abortoja fëmijën nëse është vajzë. Mjafton të jetë i shëndetshëm.”
Ndërsa një tjetër 26-vjeçare nga një fshat i Dibrës, e cila priste lindjen e saj të pare dhe mjekët i kishin treguar se ishte një vajzë. “Por burri dhe prindërit e tij nuk u gëzuan shumë kur e mësuan.”
Megjithëse mungojnë raportimet zyrtare, aborti selektiv nuk është zhdukur plotësisht. Mjekët lokalë dyshojnë se disa nëna mund të kryejnë aborte të tilla në qytete të tjera ose në klinika private, për të shmangur vëmendjen lokale.