Bypassi i rrugës së Arbrit në fshatin Xibër Murrize të Klosit, e që kalonte në fshatin Bastar Murrize të Tiranës, ishte kthyer në një kantier mbeturinash deri në hapjen për qarkullim të tunelit.
Për shkak të numrit të lartë të automjeteve që kalonin në këtë segment rrugor, mbeturinat hidheshin pa kriter nga pasagjerët dhe drejtuesit e automjeteve. Ndërkohë që me devijimin e qarkullimit nëpërmjet tunelit në mesin e muajit Mars të këtij viti, është ndaluar edhe ndotja në rrugë.
Zona është më e pastër pasi nuk janë shtuar mbeturina, ndërsa nuk është marrë masë për pastrimin e gjithë territorit që ishte ndotur gjatë periudhës që ky segment ishte arterie e rrugës së Arbrit.
Nuredin Hoxha thotë se tashmë kjo zonë duhet kthyer në atraksion turistik, pasi është piktoreske, ndërsa shton se duhet të jetë në vëmendje edhe të pushtetit vendor.
Më e ndotur mbetet zona në kufi me Bashkinë Tiranë, ku dhe ka patur më shumë ndalesa apo grupe qytetarësh që kalonin orët e nxehta nën hijen e pemëve halore.