E premte, 20 Qershor, 2025

Hakerat sulmojnë Bashkinë e Tiranës, rishfaqet “Homeland Justice”

Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës është jashtë funksionit. Shkak është bërë një sulm nga grupi i hakerave “Homeland Justice”, që sponsorizohet nga shteti iranian.

“Bashkia e Tiranës është jashtë funksionit tani. Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ju paralajmëruam që të dëboni terroristët e MEK nga toka shqiptare, por ju i njohët si refugjatë ligjorë dhe u dhatë lehtësira si karta identiteti dhe pasaporta të falsifikuara”, shkruan ata në rrjetin Telegram duke fajësuar për situatën “drejtuesit e qeverisë shqiptare”.

Sipas njoftimit të tyre me këtë sulm janë ndërprerë shërbimet e “qytetit dhe të trafikut” ndërkohë që paralajmërojnë edhe veprime të tjera.

Nga një kontroll i thjeshtë në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, tirana.al, ajo është jashtë funksionit.

Ndërkohë nuk dihet se çfarë pasojash ka pasur ky sulm kibernetik, nëse është prekur vetëm faqja zyrtare apo edhe shërbime të tjera që mund të ndikojnë në jetën e qytetarëve.

Kujtojmë se në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerash mbështetur nga shteti i Iranit sulmuan shërbimet online në Shqipëri.

Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.

Ndërkohë sulmet e “Homeland Justice” kanë vijuar edhe ndaj Kuvendit si dhe disa institucioneve të rëndësishme shtetërore në vitin 2023 dhe ndaj INSTAT në vitin 2024.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit