Rinumërimi i votave në Tiranë ka zbuluar edhe trafikimin e fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.
Në radhët e demokratëve, kandidatët me më shumë vota në procesverbal se në kuti janë Petrit Gjorgji me 46 vota, Besim Kuka me 20 vota, Edit Harxhi me 15 vota dhe Ilir Meta me 19 vota.
Ndërkohë që rivalja e Alimehmetit për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku ka 13 vota më pak në procesverbal, sesa në kuti.
Kandidatët demokratë më të “persekutuar” në numërimin e parë kanë qenë Asllan Dogjani me -16 vota, Salvador Kaçaj me -17 vota dhe Ilda Zhulali me -13 vota.
Sa i përket Partisë Socialiste, kandidatja për deputete Kejsi Elezi rezulton me 80 vota më shumë në procesverbalë se sa kishte në kutinë e votimit, ndërsa Fatmir Xhafaj ka 61 vota më shumë.
Në listën e hapur të PS-së, në garë deri në fund ishin Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Por rinumërimi deri tani, duket se nuk e ndryshon faktin që Xhaçka vijon të mbajë mandatin e deputetes.
Ish-ministrja ka marrë vetëm 12 vota më shumë në procesverbal nga sa kishte në kuti, ndërsa Gjylametit i mungojnë dy vota. Kandidatët e PS-së më të “persekutuar” nga numëruesit deri tani rezulton Mimi Kodheli -42 dhe Erion Braç e me -8 vota.