E premte, 27 Qershor, 2025

Itali/ Pronari vret shqiptarin që hyri për të vjedhur dhe i fsheh trupin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Salernos në Itali, ku një 25-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri nga pronari i një shtëpie.

Sipas mediave italiane, rasti ndodhi të dielën (22 Qershor), kur shqiptari së bashku me dy persona të tjerë hynë për të vjedhur në shtëpinë e një 60-vjeçari. Ky i fundit, me profesion ndërtues, qëlloi me armë ndaj tyre. 25-vjeçari mbeti i vrarë.

Dyshohet se pronari i banesës e kishte fshehur trupin e shqiptarit në një zonë me bimësi të dendur. Prej më shumë se 2 ditësh kryheshin kërkime për gjetjen e trupit, deri sa autoritetet italiane mundën ta gjenin.

Tashmë 60-vjeçari përballet me akuzën e vrasjes dhe fshehjes së kufomës.

Ka qenë vetë i dyshuari që tregoi vendndodhjen e kufomës, në prani edhe të avokatit të tij. Ai pranoi se kishte qëlluar me armë zjarri gjatë ngjarjes.

Bashkëpunëtori i dytë në vjedhje mbeti gjithashtu i plagosur rëndë gjatë tentativës së dështuar të grabitjes dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa një bashkëpunëtor i tretë është shpallur në kërkim policor.

Gjatë tentativës së vjedhjes u vodh edhe një armë zjarri në shtëpinë e 60-vjeçarit, që dyshohet se është përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit mes pronarit të banesës dhe hajdutëve.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit