Sipas parashikimit të motit nga MeteoAlb, dita e enjte, 26 qershor, pritet të shënojë një tjetër kulm të valës së të nxehtit që ka përfshirë territorin e Shqipërisë gjatë javës së fundit. Kthjellimet do të dominojnë pjesën më të madhe të vendit, ndërsa temperaturat do të rriten ndjeshëm.
Gjatë ditës, moti do të jetë kryesisht i kthjellët gjatë gjithë ditës në të gjithë territorin. Në zonat malore të veriut dhe verilindjes do të shfaqen vranësira të lehta dhe të izoluara gjatë pasdites, por pa reshje shiu. Megjithatë, pjesa më e madhe e vendit nga ultësira perëndimore e deri në jug do të përjetojë një ditë të kthjellët, me temperatura të larta dhe diell “përvëlues”.
Temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme, sidomos në orët e mesditës, kurse në mëngjes temperaturat do të luhaten nga 18°C në zonat malore deri në 23°C në ato bregdetare.
Në mesditë, pritet që termometri të ngjitet në 33°C deri në 37°C, me zonat më të nxehta që do të jenë Fieri, Elbasani, Berati dhe rrethinat e Tiranës, ndërsa në mbrëmje moti do të vijojë të jetë i nxehtë, me temperatura që zbresin ngadalë në 25–28°C, duke sjellë net të vakëta.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verilindor dhe veriperëndimor, me shpejtësi 15–25 km/h. Lagështia në ajër do të jetë e ulët, çka do të shtojë ndjesinë e thatësisë dhe të vapës në zonat e ulëta dhe urbane.
Bregdeti do të mbetet një zgjedhje e preferuar për freski. Temperaturat përgjatë vijës detare (Durrës, Vlorë, Sarandë) do të variojnë nga 31°C në mesditë deri në 27°C në mbrëmje. Era do të sjellë një lehtësim të ndjeshëm përgjatë brigjeve.