E premte, 27 Qershor, 2025

Mjekë nga Bullgaria bëjnë vizita falas në Ostren të Madh të Bulqizës, i pranishëm edhe Ambasadori bullgar

Mjekë nga Kolegji Mjekësor pranë Universitetit të Trakisë në Bullgari në bashkëpunim me stafin e “Qendrës Shëndetësore Ostren – Trebisht”, zhvilluan vizita mjekësore falas në Ostren të Madh në Bulqizë.

Vizitat u zhvilluan në mjediset e qendrës shëndetësore, me përkrahjen logjistike të Ambasadës bullgare. Për të gjithë banorët e Ostrenit e jo vetëm, mjekët bullgarë bënë depistim (kontroll) të syve, matje të densitetit të kockave dhe analiza të gjakut për glukozën, kolesterolin dhe acidin urik.

Ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë, Ivaylo Kirov tha se analizat dhe ekzaminimet kryhen me teknikën e siguruar nga Kolegji Mjekësor bullgar, e cila u përgjigjet të gjitha standardeve evropiane. Nga ana tjetër, Kirov tha se populli shqiptar është shumë miqësor me minoritetin Bullgar dhe se do të vazhdohet bashkëpunimi nisma të tjera të lidhura me kulturën, arsimin etj.

“Minoriteti ynë është pjesë e shoqërisë shqiptare dhe i ka të gjitha mirësitë dhe të gjitha problemet që i kanë të gjithë shqiptarët në Shqipëri. Dua të theksoj se nimën e realizojmë këtu jo vetëm për minoritetin bullgarë, pavarësisht se këtu minoriteti është i përqendruar e ku jetojnë, por janë për të gjithë banorët e zonës.

Populli shqiptar është populli më miqësor ndaj popullit tonë. Dhe për këtë arsye, ndjenjat e mira që i kemi dëshirojmë që t’i nxitim edhe me nisma të tjera të lidhura me kulturën, arsimin shëndetësinë etj, në mënyrë që të ndihemi më afër njëri – tjetrit në pikpamjen njerëzore.

Për këtë arsye dëshiroj të falenderoj universitetin e Trakit dhe kolegjin mjekësor pasi për të dytin vit radhazi janë këtu për të ndihmuar njerëzit. Kjo nismë u kthye tashmë në traditë.

Nga ana tjetër, ambasadori Kirov iu shmang pyetjes në lidhje me temën e nxehtë politike, e cila mbetet ajo e zgjedhjeve të 11 Majit. Po ashtu, termi “Treni Bullgar” që po përdoret aq shpesh nga opozita, Kirov tha se ky term nuk ekzitson në Bullgari dhe se nuk duhet të përkufizohet me këtë term.

Kjo është një çështje e brendshme për Shqipërinë. Dhe nuk është punë e diplomatëve të huaj të komentojnë një nga ngjarjet më thelbësore dhe të rëndësishme në Shqipëri. Jemi këtu për diçka më të frytshme dhe të mirë për njerëzit dhe le të fokusohemi këtu. Tek ne nuk ekziston termi “Treni Bullgar” dhe nuk e identifikojmë si dukuri. Shpresoj që njerëzit në Shqipëri nuk do të lidhin emrin e bullgarisë me termin “Treni bullgar”, por me gjëra të mira si kjo që sot po e bëjmë këtu”.

Nisma e Kolegjit Mjekësor pranë Universitetit të Trakisë për kontrolle mjekësore falas realizohet përherë të dytë në Shqipëri, ku vitin e kaluar ishte në Kukës dhe qëllimi është që të kthehet në një aktivitet të rregullt.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit