Situata nga sëmundja e rëndë e murtajës që ka prekur bagëtinë e imtë, vijon të jetë nën kontroll në Qarkun Dibër. Prefekti Nexhbedin Shehu tha se deri tani vetëm tre vatra janë identifikuar dhe nuk ka përhapje të mëtejshme.
Sipas Shehut autoritetet veterinare po e monitorojnë me kujdes situatën në terren dhe po marrin tampon për analizë tek të gjitha ekonomitë e tjera në të gjithë Qarkun Dibër.
Megjithatë, prefekti Shehu tha se duhet bërë kujdes dhe të vijojë të ndalohet transportimi i të imtave nga një zonë në tjetrën. Sa i përket blegtorëve të dëmtuar, prefekti Nexhbedin Shehu tha se qeveria ka menduar që t’i kompensojë.
Mbi 600 krerë bagëti e imtë në tre vatrat e infeksionit është asgjësuar nga autoritetet e veterinarisë për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.