Surprizat nuk kanë fund në Botërorin e Klubeve dhe kjo u pa në takimin e dytë të mbrëmjes së djeshme.
Pas eliminimit të Interit nga brazilianët e Fluminenses, ishte radha e Manchester Cityt që t’i thoshte lamtumirë këtij Botërori, duke u mundur në një sfidë dramatike nga Al Hilal me rezultatin 3-4.
Takimi i luajtur në Orlando nisi mjaft mirë për të besuarit e Pep Guardiolës, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 9’ me anë të Bernardo Silvës. “Qytetarët” patën disa herë raste për të dyfishuar shifrat, por Bono bëri një paraqitje fantastike në portë për t’u bërë pengesë për Cityn.
Skuadra e Inzaghit nuk u dorëzua dhe në fillimin e pjesës së dytë barazuan me anë të Marcos Leonardo, ndërsa 6 minuta më vonë përmbysën sfidën me anë të Malcom. Gjithsesi, Haaland riktheu dhe njëherë baraspeshën, me takimin që u detyrua të shkonte në kohën shtesë.
Në minutën e 94’, Koulibaly kaloi përsëri në avantazh ekipin saudit, por pas 10 minutash sfida u barazua sërish, kësaj radhe nga Foden.
Skuadra arasbe nuk kishte ndërmend të dorëzohej, teksa në minutën e 112’ gjeti golin e katërt me anë të Marcos Leonardo, e cila ishte dhe goditja fatale për Cityn, me Inzaghin që merr kështu hak pas dy vitesh për atë finale të humbur në Ligën e Kampionëve, kur drejtonte Interin.
Kështu Al Hilal është në çerekfinalen e Kupës së Bote për Klube, aty ku do të ndeshet me Fluminensen, ndërsa fituesi do të ketë përballë në gjysmëfinalen ekipin që do të vazhdojë më tej mes Palmeirasit dhe Chelseat.
REZULTATI:
MAN. CITY 3-4 AL HILAL