Prej më shumë se dhjetë ditësh sistemi online i Gjendjes civile po përballet me probleme që e bëjnë të mosfunksionojë.
Situata është e njëjtë thuajse në të gjithë Qarkun Dibër edhe kur kemi hyrë në muajin korrik, ndërsa sistemi funksionon vetëm në zyrat e gjendjeve civile qendër bashkie.
Aktualisht pa sistem janë zyrat e gjendjes civile në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë së Matit, të Klosit, Bulqizës dhe Dibrës.
Vetëm zyrat e gjendjes civile që janë pranë bashkive ofrojnë shërbim për qytetarët, por edhe ato në disa raste kanë shkëputje të funksionimit të sistemit me të cilin punojnë.
Ndërkohë, problemi i mosfunksionimit të këtij sistemi është në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, që është në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Sakaq, mungesa e marrjes së shërbimeve pranë zyrave të gjendjes civile ka prekur të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë të rinovojnë apo të aplikojnë për herë të parë për dokumentet biometrike.
Gjithashtu, shqetësim mbetet edhe për emigrantët të cilët shfrytëzojnë kohën e pushimeve për të marrë pasaportat e reja, apo për të regjistruar fëmijët që kanë lindur jashtë Shqipërisë