E enjte, 3 Korrik, 2025

Ina Majko zv/ministre e Shëndetësisë, Rama: Vlerë e shtuar e PS, vjen nga komuniteti Rom dhe do të jetë mbështetje për njerëzit në nevojë

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Ina Majko është emëruar zv/ministre e Shëndetësisë.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi gjatë fushatës elektorale se kandidatja e PS në Qarkun e Vlorës, nga lista e hapur, do të ishte pjesë e kabinetit të ardhshëm, nëse nuk do të arrinte të fitonte mandatin e deputetes.

Si rrjedhojë, ajo nuk arriti të zgjidhej nga vota preferenciale dhe një ditë më parë erdhi firma e Qeverisë që e çon të renë nga Delvina te Shëndetësia, si zv/ministre.

Ndërsa sot, kreu i qeverisë u shpreh se Majko është ndër prurjet e shumta të PS në 11 maj, e cila vjen nga radhët e komunitetit Rom dhe do të jetë mbështetje për familjet e fëmijët në nevojë.

Postimi:

Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian

Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.

Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.

Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit