Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e të riut, Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet mbrëmjen e 8 korrikut 2025, pranë liqenit të Shkopetit.
Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar nga Policia e Matit, katër persona, si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit. Të shoqëruarit, janë persona, të cilët kanë pasur më herët konflikte me viktimën.
Të dyshuarit janë shprehur për uniformat blu se problemet me viktimën i kishin mbyllur më parë, e nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit të rëndë.
Ata u morën në pyetje për disa orë, e më pas u liruan nga policia. Pavarësisht kësaj, të dyshuarit, do të vijojnë të mbahen në mbikëqyrjen e policisë.
Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Dobra, ka humbur jetën nga mbytja me litar.
Policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 8 korrikut, pranë liqenit të Shkopetit.
Që në vëzhgimin e parë të trupit, është vënë re që i riu kishte shenja mavijosje në qafë, duke ngritur kështu që në fillim dyshimet se kjo është një situatë kriminale dhe jo aksidentale. Policia ngriti dyshimet se Dobra është mbytur dhe makinën ia hodhën në liqen.
Kanë qenë familjarët e të riut të cilët alarmuan policinë për zhdukjen e të riut, për të gjetur më pas që 23-vjeçari është vrarë.
Hetimet u mbështetën gjithashtu dhe tek dyshimi se viktima mund të ketë pasur konflikt për ndonjë vajzë, por kjo nuk është e provuar.
Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e së mërkurës, 9 korrik 2025.