Policia nuk ende asnjë autor të dyshuar për vrasjen makabre të të riut Renis Dobra në Mat.
Ekspertiza ligjore nga ana tjetër ka përcaktuar se shkaku i vdekjes së 23-vjeçarit është asfiksia nga mbytja me litar.
Sipas hetuesve, i riu ka humbur jetën para se makina e tij të dilte nga rruga dhe të përfundonte në liqenin e Shkopetit, teksa trupi i tij u gjet pak metra pa rënë në ujë.
23-vjeçari Renis Dobra dyshohet se u rrëmbye nga persona ende të paidentifikuar mbrëmjen e së martës në afërsi të banesës së tij në fshatin Zenisht.
Dyshohet se këta persona i kanë zënë pritë me armë makinës që drejtohej nga i riu Dobra, duke iu prezantuar si policë.
Dy prej tyre besohet se janë futur në mjetin e 23-vjeçarit dhe më pas e kanë detyruar të lëvizë në rrugën Burrel – Skuraj ku pasi e kanë vrarë e kanë hedhur së bashku me makinën e tij drejt ujërave të liqenit të Shkopetit.
Ndërsa trupi i pajetë i të riut nga Zenishti u gjet të mërkurën në breg të liqenit, automjeti i tij u gjet vetëm këtë të enjte nga polumbarët e repartit të forcave RENEA, pasi struktura e liqenit e vështirësoi operacionin për shkak të thellësisë afro 17 metra.
Grupi hetimor shpreson të gjejë prova që mund të çojnë në zbulimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë. Brenda makinës besohet të ketë edhe prova të autorëve të cilët dyshohet se morën peng 23-vjeçarin.
Deri tani janë marrë në pyetje disa persona por prokuroria nuk ka ende një të dyshuar për ngjarjen e rëndë.
Mësohet se, 23-vjeçari Renis Dobra nuk rezulton të ketë patur precedent penal dhe hetimet po zhvillohen në disa pista.