Një vatër zjarri ka shpërthyer këtë dielë në malin “Vlashaj”, mbi fshatin Shupenzë, në Bulqizë. Erërat e forta kanë kontribuar në përhapjen e shpejtë të flakëve, duke bërë që zona të jetë e rrezikuar dhe të zgjerohet më tej.
Aktualisht, forcat e emergjencës janë të angazhuara në shuarjen e një zjarri të madh që ka shpërthyer në masivin pyjor të fshatit Peladhi. Ky zjarr ka shpërthyer që një javë më parë dhe ka djegur deri tani një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh.
Për shkak të situatës në Peladh, ende nuk është mundur të ndërhyhet në malin “Vlashaj”, ku zjarri ka shpërthyer ditën e dielë.
Përveç masivit të Peladhit, një situatë kritike vazhdon të mbetet edhe në Lurë, ku flakët kanë përfshirë pyjet me pishë, ah dhe shkurre. Forcat e shuarjes, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe ato lokale, janë në terren duke luftuar për të kontrolluar përhapjen e flakëve. Ditën e kaluar, një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes iu bashkua forcave tokësore për të asistuar nga ajri, duke u fokusuar veçanërisht në zonat e vështira për tu arritur për shkak të terrenit të thepisur.