Pas afatit të vendosur nga kryeministri Edi Rama deri ditën e hënë për largimin e kryetarëve të njësive administrative, kanë nisur dorëheqjet dhe shkarkimet e para në qarkun e Kukësit.
Në kuadër të përmirësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së efikasitetit të administratës vendore, Bashkia Kukës ka ndërmarrë një vendim drastik: janë liruar nga detyra 14 administratorë të njësive administrative si dhe 2 nënkryetarët e bashkisë, Agron Nuredinaj dhe Vladimir Spahiu.
Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë Kukës, ky vendim është marrë pas një analize të thelluar të performancës së strukturave në terren, ku janë evidentuar mangësi të theksuara në disa sektorë të shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Puna e institucionit do të vijojë me fokus të shtuar në përmirësimin e treguesve të performancës, me synimin për të garantuar cilësi dhe shërbim më të mirë për çdo qytetar,” thuhet në deklaratën zyrtare.