Vatra e zjarrit e aktivizuar fundjavën e kaluar në parkun natyror “Ulëz – Shkopet” u riaktivizua pasditen e së mërkurës duke kërcënuar sërish djegien e bimësisë dhe banesave në zonë.
Duke qenë se forcat tokësore e patën të pamundur punën për izolimin e zjarrit, këtë të enjte është rikthyer operacioni nga ajri.
Dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes nisën operacionin në orët e para të ditës për të shuar flakët të cilat po zbrisin drejt banesave të Shkopetit dhe në drejtim të Mirditës.
Operacioni po mbështetet edhe në rrugë tokësore nga forcat e shërbimit zjarrfikës të pushtetit vendor, ato të shërbimit pyjor dhe forcat e armatosura.
Sakaq, situatë kritike mbetet në parkun kombëtar “Lurë – Mali Dejës”, ku vatra e zjarrit tashmë është futur në fshatin Zall – Gjoçaj dhe po rrezikon banesat.
Të mërkurën u bë evakuimi i gjësë së gjallë që veronte në malin e Zall Gjoçajve, bletëve e barinjëve që shkojnë çdo vit aty.
Avioni i ardhur nga Italia për të ndihmuar autoritetet tona për fikjen e zjarreve rezultoi jo efektiv për shkak të terrenit të thepisur malor që pengonte zbritjen në distancë të vogël nga toka.
Megjithatë, të dy avionët e ardhur në ndihmë nga shteti fqinj i janë rikthyer operacionit sërish këtë të enjte, ndërsa pritet që pas izolimit të zjarrit në Shkopet dy helikopterët të zhvendosen për operacion nga ajri në fikjen e zjarrit në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali Dejës”.