Në këto ditë të nxehta me temperatura ekstreme jo të gjithë kanë mundësinë të shkojnë për t’i kaluar pushimet në det apo në vende të freskëta.
Shumë të rinj kanë zgjedhur të punojnë gjatë muajve të verës duke dalë në rrugë për të shitur misra.
Rruga e Arbrit nga Peshkopia deri në Tiranë është thuajse e mbushur me shitësit e misrave, që janë kryesisht të rinj.
Ky i mitur del çdo ditë në mëngjes në rrugën e Arbrit dhe shet misra të pjekur për të gjithë udhëtarët që lëvizin në drejtim të Qarkut Dibër apo Tiranës.
Ai thotë se e bën këtë për të siguruar të ardhura ekonomike që do të ndihmonin familjen e tij, por edhe që të kishte mundësi të blinte rroba me fillimin e vitit të ri shkollor.
Dikur, shitja e misrave bëhej masivisht në rrugën Klos – Burrel, por me hapjen e rrugës së Arbrit, ky aktivitet është zhvendosur në këtë aks rrugor.