Mbyllja e urës së Milotit pas konfirmimit të dëmtimeve serioze në strukturën mbajtëse dhe rrezikut për përdoruesit do të vijojë deri në zgjidhjen e këtij problemi.
Ky objekt inxhinierik është inspektuar nga përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe një grup inxhinierësh të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Institutit të Ndërtimit që po shqyrtojnë mundësinë e një ndërhyrjeje emergjente dhe hartimin e një zgjidhjeje afatgjatë për ndërtimin e një ure të re.
Shefi i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Lezhës, Valmir Nikolli, bëri të ditur se mbyllja e urës ishte e domosdoshme për të shmangur pasoja të rënda dhe se janë marrë masa për devijimin e qarkullimit në itinerare alternative.
Ura, me gjatësi prej 788 metrash, ka pësuar dëmtime të mëdha në themelet e saj, si rezultat i erozionit të vazhdueshëm dhe shfrytëzimit pa kontroll të shtratit të lumit Mat për materiale ndërtimi. Rreziku për shembje u konsiderua real dhe i menjëhershëm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon se qarkullimi do të qëndrojë i pezulluar deri në përfundimin e ndërhyrjes së parë teknike, e cila do të nisë brenda pak ditësh në bashkëpunim me strukturat akademike dhe inxhinierike vendase.
Në një plan afatgjatë, ndërtimi i një ure të re është përfshirë në programin kombëtar “100 Ura”, i mbështetur financiarisht nga Banka Botërore, me synimin për të zëvendësuar veprat e amortizuara dhe për të garantuar siguri në nyjet kyçe të qarkullimit kombëtar.