Në zbatim të paralajmërimit të Kryeministrit Rama për çlirimin e hapësirave buzë rrugëve kombëtare, edhe buzë rrugës së Arbrit nga Qafa e Buallit, deri tek Tuneli i Murrizit, ka nisur heqja në mënyrë vullnetare e objekteve nga ana e pronarëve.
Sipas këtyre të fundit, edhe pse e kanë tokën ku kanë ndërtuar me certifikatë pronësie, përsëri kanë nisur çmontimet e objekteve të llojeve kjoskë pa themele betoni e hekuri.
Ditën e dielë, edhe pse ditë pushimi, IKMT ishte në terren duke kontaktuar pronarët e këtyre objekteve buzë rrugës së Arbrit.
Jashtë kameras, pronarët e këtyre objekteve thonë se janë paralajmëruar nga punonjësit e IKMT se nëse nuk i heqin vullnetarisht do të gjobiten me 5 milionë lekë të reja për zaptimin e zonave të sigurisë që cënon sigurinë rrugore dhe mjedisin.
Të zotët e këtyre ndërtimeve pa leje, shprehen të zhgënjyer jashtë kameras për atë se kanë shpenzuar deri dhe me lekë borxhë apo me kredi për ngritjen e këtyre kjoskave për të ngritur një biznes familjarë buzë rrugës së Arbrit, por tani po i heqin duke çuar dëm jo vetëm shpenzimet, por edhe të ardhmen e tyre.
Madje njëri nga këto pronarë nga fshati Plani i Bardhë, thotë se kam lënë Gjermaninë duke investuar në vendlindjen time, ku arrita të vendos një konteinere në tokën e të parëve të mi, por edhe ky investim tashmë më shkoi kot, ndaj do të detyrohem të largohem sërish në emigrim.
Sipas kryeministrit, bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në afërsi të segmenteve rrugore kishin afat deri më 31 korrik për të larguar çdo material që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës, distancë e përcaktuar ligjërisht si zonë sigurie.