Një vajzë katërvjeçare ka vdekur pas një incidenti në një park ujor në Britani të hënën pasdite.
Policia u thirr në Waterworld në Hanley, Stoke-on-Trent, pas raportimeve për një vajzë në gjendje kritike.
“Stafi i Waterworld dhe kolegët e tyre nga Shërbimi i Ambulancës së West Midlands i dhanë ndihmën e parë vajzës në vendngjarje, përpara se ndihmësit mjekësorë ta çonin në spital për trajtim të mëtejshëm”, tha Policia e Staffordshire.
“Pavarësisht përpjekjeve të stafit të spitalit, vajza vdiq pak kohë më vonë”, thuhet në deklaratë.
Në një postim në Facebook, Waterworld tha se incidenti fatal ndodhi në orën 4:15 pasdite.
Vajza u gjet pa ndjenja dhe iu dha ndihma e parë pranë pishinës nga rojet bregdetare dhe ekipet e menaxhimit në vendngjarje.
“Ata menjëherë dhanë ndihmën e shpejtë dhe telefonuan shërbimet e urgjencës, të cilat mbërritën rreth orës 16:20.”
“Të gjithë mysafirëve të tjerë u është kërkuar të largohen nga pishina në heshtje nga respekti për operacionin e shpëtimit që është në vazhdim dhe ne dëshirojmë t’i falënderojmë ata për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre.”
Waterworld, i cili e përshkruan veten në faqen e tij të internetit si “parku ujor tropikal numër një në Mbretërinë e Bashkuar”, shtoi se do të mbetej i mbyllur sot “në shenjë respekti për familjen e vajzës së re”.