Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin ndaj miqësisë me SHBA-në dhe lidershipin e saj të guximshëm.
Sipas Presidencës, në letrën e tij, Presidenti Trump vlerëson vendimin e Kosovës për të pranuar shtetas nga vende të treta si një tregues i gatishmërisë për bashkëpunim me SHBA-në, duke theksuar se ky hap reflekton forcën dhe dhembshurinë e popullit kosovar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe të begatë. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur,” thekson Presidenti Trump.
Ai shpreh besimin se partneriteti mes dy vendeve do të thellohet më tej në vitet që vijnë dhe e cilëson Presidenten Osmani si “një mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara”.
Në fund të letrës, Presidenti Trump i përcjell Presidentes Osmani edhe përshëndetjet dhe urimet më të mira nga Zonja e Parë, Melania Trump./ Telegrafi